Merkur Beqiri, kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës nga “Alternativa”, ka prezantuar pesë shtyllat kryesore të programit të tij qeverisës me kryeqytetin.
Ndër pikat kyçe me të cilat ai ka premtuar se do të merret është siguria, shëndetësia dhe mjedisi, kultura, arti dhe arsimi, sporti dhe mirëqenia, si dhe infrastruktura dhe shërbimet publike.
“Kam parë në shumë vende se si zgjidhen problemet ndryshe dhe si jetohet ndryshe. Këto përvoja më kanë bërë që të vrojtoj se çka po ndodh në Prishtinë dhe me keqardhje jo vetëm gjatë katër vjetëve të fundit, por gjatë 15 vjetëve të fundit unë vetëm kam parë që Prishtina po merr drejtim jo të duhur në zhvillimin e saj. Ne si Prishtinë duhet të bëhemi kryeqyteti më i jetueshëm në Ballkanin Perëndimor, mendoj se ka kapacitet në Prishtinë sa i përket burimeve njerëzore që të arrihet ky qëllim. Për ta arritur këtë vizion ne kemi ndërtuar pesë shtylla që lejojnë të merret një drejtim i progresit. E para ka të bëjë me stabilitet dhe siguri, shtylla e dytë ka të bëjë me shëndetësi dhe mjedis, e treta me kulturë, art dhe arsim, më pas sportin dhe mirëqenie, dhe e fundit infrastruktura dhe shërbimet publike”, ka thënë ai të dielën në emisionin “038” në KTV.
Çështja e bërllokut, sipas tij, është ndër problemet më të mëdha me të cilat përballet kryeqyteti, faj për çka i ka lënë mungesës së menaxhimit.
Sipas tij, zgjidhje për këtë problem shihet edhe ndëshikimi nga policia lokale.
“Është problem shumë i madh, por është pasojë e mungesës së menaxhimit, e mungesës së vullnetit të grupacioneve të përfaqësive politike që të zgjidhet ky problem. Duhet ridizajnuar komplet sistemi i grumbullimit të mbeturinave, të modernizohen kontejnerët, të shtohet numri i tyre, të arrihet të synohet që të bëhet riciklimi i tyre dhe të bëhet vetëdijesimi i popullatës. Fushata duhet të ndikojë në ngritjen e vetëdijes, por duhet të bëhet edhe ndëshkimi i mirëfilltë e këtu kërkohet rritja e numrit të shërbimeve të inspektoratit dhe bashkëpunimi me policinë lokale”, ka thënë ai.
Sa i përket trafikut, ai ka përmendur nevojën për numër më të madh të autobusëve, që sipas tij, do të kishte qenë zgjidhje afatshkurtër e problemit.
“Problemi mund të zgjidhet, ka nevojë për zgjidhje afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Kemi njëprojeksion, në afatshkurtër duhet të rivitalizohet granti prej 10 milionë eurosh që është premtuar 30 autobusë modernë dhe që nuk po vijnë për shkak të gjetjes negative në auditimin e qeverisjes së tanishme. Duhet të përforcohet flota. Duhet edhe të rishikohet dhe ridizajnohet i gjithë sistemi i itinerarëve të autobusëve të tanishëm”, është shprehur ai.