Zgjedhjet lokale

Bytyçi: Lista Serbe përfiton nga nxehja e retorikës

Analisti politik, Seb Bytyçi, ka thënë se edhe Lista Serbe përfiton nga nxehja e retorikës etnike në fushatën elektorale.

Bytyçi në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se kjo parti shërben si degë e partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. E sipas tij, kritikat e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës për moslejimin e garimit të Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ndërlidhen me mbështetjen e ndërkombëtarëve për pushtetin e Vuçiqit në Serbi.

Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, certifikimi u refuzua, pasi paraprakisht anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ publikuan dokumente që tregojnë se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozita në organet paralele të Serbisë në Kosovë. Moscertifikimit i parapriu një paralajmërim kritik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (detajet), ndërsa më pas pati reagime edhe nga OSBE-ja dhe Qeveria e Serbisë.

E Bytyçi ka thënë se edhe pse e kanë refuzuar certifikimin e Listës Serbe, partitë megjithatë presin që në instanca më të larta t’i mundësohet garimi.

Sipas Bytyçit, të gjitha palët e përfshira në diskutim janë pjesë e një “performance”.

“Të gjithë po e luajnë rolin e vet. Edhe bashkësia ndërkombëtare edhe qeveria në Serbi. Lista Serbe shërben si degë e partisë në pushtet në Serbi prandaj ata dëshirojnë dhe kanë punuar që të kenë pushtet të plotë te serbët e Kosovës. Çfarëdo cenimi i atij pushteti nuk i shkon për shtati. Për shkak se jemi në fushatë, pritet që secila palë ta luajë atë rolin e vet dhe nga nxitja e retorikës kryesisht përfitojnë këto parti që ndjekin politika etnike duke përfshirë edhe vetë Listën Serbe. Edhe ata përfitojnë nga kjo gjë”, ka thënë Bytyçi.

Bytyçi ka thënë se moslejimi i Listës Serbe në garë do të ishte lajm i mirë për partitë e tjera të komunitetit serb dhe pluralizmin në përgjithësi. E sipas tij, këtë duhet ta kuptojë edhe bashkësia ndërkombëtare.

“Ajo që duhet të theksohet është se të gjitha palët, sidomos bashkësia ndërkombëtare duhet të kuptojë që pjesëmarrja e serbëve në politikë nuk nënkupton patjetër dominim i Listës Serbe. Ka edhe parti të tjera që mund të votohen dhe ka konsiderata legjitime nga ana e Kosovës sa i përket Listës Serbe dhe rolit të saj në përkrahjen e personave që kanë marrë pjesë në sulmin e Banjskës apo sulme të tjera ndaj zyrtarëve të Kosovës. S’duhet thjeshtë të hidhen poshtë këto brengat e Kosovës”, ka thënë ai.

Bytyçi ka thënë se edhe kritikat ndaj Kosovës janë pjesë e një “shfaqjeje performative”.

“Partitë me politika etnike i përdorin dhe të gjitha përfitojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kritikat e ndërkombëtarëve më shumë lidhen me mbështetjen e tyre për pushtetin në Serbi, i cili po përballet me protesta tash e sa muaj.

“Për aq kohë sa zgjat përkrahja e ndërkombëtarëve për partinë e Vuçiqit në Serbi, do të ketë qasje të tillë edhe ndaj Listës Serbe në Kosovë”, ka thënë ai.