Zgjedhjet lokale

Cana i PDK-së: Rahoveci po helmohet nga ujërat e zeza, do ta shpallim eko-komunë

Edon Cana

Ujërat e zeza, përkatësisht mostrajtimi i tyre, është veçuar si problem i madh për Rahovecin edhe nga kandidati i PDK-së për kryetar, Edon Cana. 

Cana në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Rahovecin”, ka thënë se është shqetësuese se si kryetari aktual Smajl Latifi, sipas tij, po e relativizon këtë problem.

“Komuna jonë është duke u helmuar, në çdo përroskë e lum, në çdo lagje derdhen ujërat e zeza. Kjo ka të bëjë me mungesën e vizionit, sepse po flasim për një problematikë fundamentale. Në programin tonë ‘Rahoveci 2025’, kemi një vizion 10-vjeçar që ia mundëson Rahovecit të bëjë një planifikim të duhur”, ka thënë Cana. 

Ai ka premtuar edhe shpalljen e Rahovecit qytet i gjelbër.

“Ne duam të shpallim Rahovecin eko-komunën e parë në Kosovë. Do të bëhet një plan i detajuar, do të ndërtohen impiante në zona të caktuara”, ka thënë ai. Sipas tij, problemi do të zgjidhet për të gjitha fshatrat.

Po ashtu ka mohuar se ato që ka përmendur kryetari Latifi janë vërtetë impiante.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

 

Lexo përditësimet tjera
Debati per Rahovec

Kandidatët për Rahovecin shpalosin projektet