Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 28-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Ismaili mbyll fushatën me akuza ndaj Ramës: Nuk e arsyetove besimin e Prishtinës
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbyllur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 12 tetorit.
Ai ka thënë se kryetari Përparim Rama nuk ka ndryshuar kryeqytetin pavarësisht katër vjetëve të pushtetit.
“Përparim Rama pati katër vite për ta ndryshuar Prishtinën, por sot qytetarët ende përballen me të njëjtat probleme – errësirë, mbeturina, mungesë uji dhe trotuare të thyera. Nuk mund të kërkosh një shans të dytë, kur ke humbur të parin”, ka thënë Ismaili, duke theksuar se koha e justifikimeve ka mbaruar.
Ai ka shtuar se qyteti meriton më shumë se projekte në letër dhe vizione të parealizueshme.
“Prishtina ka nevojë për punë konkrete, për kujdes të përditshëm dhe për një kryetar që e mban fjalën. Unë besoj në një kryeqytet që i jep fund premtimeve të harruara dhe ringjall shpresën”, ka thënë ai.
Në fund, Ismaili u bëri thirrje qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për ndryshim, duke thënë se “është koha për një Prishtinë që punon për njerëzit e vet, jo për pushtetin”.
Rashiq: Mos e votoni Listën Serbe për 50 euro
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që kanë dokumente të Kosovës e nuk jetojnë këtu, që të mos i shesin votat.
Ai ka bërë apel që për 50 euro të mos shitet vota për Listën Serbe.
“Ata që për arsye të ndryshme nuk jetojnë më në Kosovë, por i kanë dokumentet e Kosovës u lutem, do të jem pak më i rreptë, por po them ‘mos ia shitni shpirtin shejtanit për 50 euro’. Ato 50 euro që ju i merrni do të thotë katër vjet të vështirë për ne. Për atë arsye nëse vini të votoni Listën Serbe për 50 euro, mos ejani fare. Përndryshe çdo ditë tjetër jeni të mirëseardhur të jeni miqtë tanë dhe familjarët e të afërmit tanë. Gjithashtu ju presim me padurim të gjithë ata që doni të ktheheni në Kosovë, por iu lus mos ia shkatërroni jetën atyre që kanë dëshirë të jetojnë këtu dhe jetojnë këtu për arsye tjetër”, ka thënë Rashiq.
Leutrim Ajeti: Votoni për historinë
Në Graçanicë, kandidati i Aleancës Shqiptare, Leutrim Ajeti, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për atë që e ka quajtur “ndryshim historik”. Ajeti ka premtuar investime në shëndetësi, kopshte publike dhe hapësira sportive për të gjitha komunitetet.
Kandidati i vetëm shqiptar për kryetar të Graçanicës, Leutrim Ajeti, u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të komunës, që të dielën të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.
Ajeti është kandidati i subjektit Aleanca Shqiptare, që ka mbledhur të gjitha partitë shqiptare në Graçanicë. Ai tha se të dielën do të bëhet historia.
“Unë Leutrim Ajeti do të jem kandidat për kryetar të komunës në Graçanicë. Ju ftoj të gjithëve pa dallim të votoni Leutrim Ajetin, të votoni listën tonë, të votoni Aleancën Shqiptare, të votoni për historinë, të votoni për ndryshimin dhe të votoni për transformimin e komunës së Graçanicës. Kjo do të jetë datë historike, do të jetë datë e shenjt sepse ne bashkë do ta bëjmë ndryshimin e Komunës së Graçanicës, do ta bëjmë transformimin e Komunës së Graçanicës”, ka thënë Ajeti.
E në një video tjetër që Ajeti ka shpërndarë në Facebook, premton investime të shëndetësi.
“Gjatë katër viteve tona qeverisje do të ndërtojmë katër shtëpi të shëndetit në lagjet; Marigona, Uglarë, Çagllavicë dhe Kishnicë. Po ashtu do ta ndërtojmë edhe spitalin e qytetit, njëra prej nevojave më të mëdha të komunës së Graçanicës. Njëra ndër kërkesat e qytetarëve të Graçanicës është edhe ndërtimi i kopshteve publike. Në mandatin tonë do të investojmë në kopshte për fëmijë në lagjet; Marigona, Uglarë, Kishnicë dhe Çagllavicë”, vijoi ai.
Ajeti gjatë këtij mandati ka shërbyer si nënkryetar i komunës për komunitete.
Graçanica prej kur është themeluar si komunë, në 2009-ën, është udhëhequr nga partitë serbe.
Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011, komuna përbëhej nga 67% serbë, 23% shqiptarë e 8% romë e ashkali. Por në regjistrimin e vitit 2024, shqiptarët dolën të jenë shumicë në komunë, për 63 banorë më shumë.
Krasniqi premton punësim për mjekët në Prizren, Berisha i quan të rrejshme sondazhet në Prishtinë
Dy ditë para zgjedhjeve të 12 tetorit, kandidatët për kryetarë komunash nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vijuar fushatën me zotime të reja e me thirrje për përkrahje. Në Prizren, Besnik Krasniqi ka premtuar që asnjë profesionist shëndetësor në këtë komunë nuk do të mbetet pa punë.
“Si kryetar i ardhshëm i komunës do të sigurohem që asnjë mjek dhe asnjë infermier në komunën tonë të mos mbetet pa punë. Këtë do ta bëjmë me partnerët tanë, qoftë ndërkombëtarë, qoftë vendorë, duke i rritur subvencionet për punësimin e të rinjve dhe të rejave tona që kanë diplomuar në sektorin e shëndetësisë”, ka thënë Krasniqi.
Në Prishtinë, kandidati Bekë Berisha u ka kërkuar qytetarëve ta votojnë të dielën, duke thënë se që nga e hëna do të nisë realizimi i projekteve të cilat sipas tij, kanë mbetur në gjysmë prej më shumë se një dekade.
“Qytetarë të Prishtinës, ju falënderoj shumë për të gjitha takimet edhe për krejt konsultat, për të gjitha ato që i kemi bërë bashkë. Tash ju ftoj me dalë me ma qit votën. Mos i shikoni sondazhet e rrejshme, po veç çohemi të dielën, votojmë. Të hënën fillojmë punën, i realizojmë ato që nuk janë realizuar për 12 vjet në Prishtinë”, ka thënë Berisha.
Në Pejë, kandidati për kryetar Ali Berisha, është zotuar për legalizimin e mbi dhjetë mijë pronave, me taksa më të ulëta.
“Shumë shtëpi të Kapishnicës edhe Zatrave nuk janë të legalizuara. Shumë shtëpi kanë probleme, qoftë me vlerësimin e vlerës së shtëpive të tyre, për shkak të pamundësisë për legalizim. Kemi me kriju mekanizma në komunë, ekipe të veçanta që bashkë me pronarët e shtëpive do të krijojnë dokumentacionin. Kemi me kriju lehtësira dhe taksat për legalizim do të jenë shumë më të lira. Ne besojmë shumë se në dy vitet e para do t’i legalizojmë të gjitha këto 10 mijë prona në komunën e Pejës që janë të palegalizuara, dhe do t’u mundësojmë shumë shtëpive në këtë pjesë të legalizohen, të vlerësohet pasuria e tyre dhe të kenë mundësi ta shfrytëzojnë më mirë atë pasuri”, ka premtuar Berisha.
E lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj të premten ka thurur lëvdata për kandidatin për kryetar të Junikut, Agron Kuçin.
“Juniku, vend i bekuar me bukuri natyrore dhe histori të lavdishme, sonte tregoi se ka vendosur për rikthimin e Aleancës dhe për vazhdimin e zhvillimit pas 12 tetorit. Junikasit kanë zgjedhur numrin 174, për rikthimin e qeverisjes zhvillimore dhe për projektet që e çojnë Junikun përpara. Gjatë qeverisjes sonë nisëm punët që sollën ndryshim të vërtetë, nga rruga Junik–Gjeravicë, tek kanalet e ujitjes, shkolla e re dhe infrastruktura që i dha jetë komunës së re. Agron Kuçi, si kryetar, kishte misionin më të vështirë, por e kreu me dinjitet, e ngriti Junikun nga zero dhe e ktheu në shembull suksesi për gjithë Kosovën. Sot, bashkë me ekipin e Aleancës, ai është gati për ta çuar Junikun drejt zhvillimit të mëtejshëm”, ka shkruar Haradinaj në facebook.
Në Deçan, kandidati Bashkim Ramosaj ka bërë të ditur nisjen e një projekti për vendosjen dhe mirëmbajtjen e tabelave informuese me emrat e fshatrave dhe rrugëve.
“Sot ka filluar implementimi i projektit “Vendosja dhe mirëmbajtja e tabelave informuese, emërtimet e fshatrave dhe rrugëve”. Ky është një hap i rëndësishëm për orientimin më të lehtë të qytetarëve dhe vizitorëve, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës komunale në përgjithësi. Falë këtij projekti, çdo rrugë dhe fshat i komunës sonë do të ketë identitet të qartë dhe standard të njëjtë informues”, ka thënë Ramosaj.
Ardian Gjini, nga kjo parti ka bërë të ditur se ka filluar faza e fundit e punimeve në kuadër të projektit “Koncepti i tre lumenjve”.
Gjini të premten ka vizituar segmentin e fundit pranë Urës së Taliqit, ku ka parë nga afër zhvillimin e punimeve. Ai ka theksuar se projekti, me vlerë rreth 1.5 milion euro, do ta shndërrojë këtë zonë në një hapësirë moderne, atraktive dhe tërësisht funksionale për qytetarët e Gjakovës.
Ujë të pijshëm e subvencione për lehona dhe studentë, premtojnë kandidatët e LDK-së
Një ditë para mbylljes së fushatës, kandidatë të Lidhjes Demokratike për kryetarë komunash, janë zotuar për mbështetje të lehonave, foshnjave e nxënësve.
Kryetari aktual i Junikut dhe kandidati i LDK-së për edhe një mandat, Ruzhdi Shehu, ka prezantuar program të ri të subvencioneve.
“Do të ofrojmë mbështetje për gratë lehona, me subvencione 300 euro pas lindjes, si një formë kujdesi për nënat dhe familjet e tyre. Do të mbulojmë shpenzimet shëndetësore për të sëmurit kronikë, që të mos jenë vetëm në përballen me vështirësi. Do të subvencionojmë fermerët me pajisje bujqësore modern, për të rritur prodhimin, për të ulur kostot dhe për të përmirësuar cilësinë e produkteve vendore. Me një fond të veçantë, do të ofrojmë bursa për nxënësit dhe studentët sepse besojmë se investimi në arsim është investimi në të ardhmen e Junikut”, ka deklaruar Shehu.
Edhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati, që synon mandatin e ri, ka premtuar rritjen e vlerës së subvencioneve për lehona nga 150 në 250 euro, dhe për personat që vuajnë nga sëmundjet kronike deri në 300 euro.
“Rritja e subvencionimit të nënave lehona nga 150 euro në 250 euro për lindje, një mbështetje për familjet e reja. Subvencionimi për qytetarëve që vuajnë nga sëmundjet kronike në vlere deri në 300 euro. Subvencionimi 100% i te gjitha shpenzimeve te shoqatës se pensionistëve ne Istog Subvencionimi i nenave vetë ushqyese ne vlerë prej 500 euro. Familjeve strehuese që strehojnë fëmijë nga Istogu do te subvencionohen me nga 100 euro në muaj”, ka thënë Ferati.
Ndërkaq, në Fushë-Kosovë, kandidati Besnik Osmani ka bërë të ditur se ka nisur projekti për internet falas në rrugën “Dardania”, dhe ka premtuar se edhe rrugët përreth do të kenë qasje falas në internet.
“Sot kemi filluar projektin për internet falas në rrugën Dardania. Shumë shpejt, të gjitha rrugët përreth do të kenë internet falas”, u shpreh Osmani.
Ndërsa në Podujevë, kandidati Ekrem Hyseni ka thënë se nëse e fiton mandatin, prioritet do të ketë transformimi i Parkut të Pishave.
“Transformimi i Parkut të Pishave dhe Korridori i Gjelbër është projekti tjetër prioritet për Podujevën tonë urbane”, tha Hyseni.
Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj, ka premtuar realizimin e projekteve infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e sistemit të ngrohjes qendrore dhe unazës së qytetit.
“Dojmë me hy në projekte të mëdha për Prizrenin, dojmë me bo Prizrenin me ngrohje qendrore, që sot s’ka. Dojmë me bo Prizrenin me unazë të mesme dhe të jashtme të qytetit, që sot s’ka, sepse këta as nuk kanë ide, as nuk dijnë, e as nuk dojnë, por dojmë me keqmenaxhu”, u shpreh Selmani.
Arbër Ismajli, kandidat për kryetar të Gjilanit është zotuar për investime në fshatra. Në Llashticë, ai premtoi hapjen e rrugës dhe renovimin e urës. Në Zhegoc, planifikon fushë sportive, asfaltim rrugësh dhe park. Ndërsa në Cërnicë, prioritet për të mbetet furnizimi me ujë të pijshëm dhe ndërtimi i kanalizimit.
“Premtimet kryesore për fshatin Llashticë: Hapja e rrugës që lidh Llashticën me fshatrat e brezit kufitar, funksionalizimi i ujësjellësit, renovimi i urës në hyrje të fshatit dhe shtigje për ecje. Premtimet kryesore për fshatin Zhegoc: Ndërtimi i fushës sportive tek shkolla fillore “Feta Qerimi”, asfaltimi dhe rregullimi i rrugëve, krijimi i parkut dhe investim në bujqësi. Premtimet kryesore për fshatin Cërnicë: Sigurimi i furnizimit me ujë të pijshëm, investim në ndërtimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik si dhe investim në infrastrukturë’, ka thënë Ismajli.
Në Dragash, kryetari aktual dhe kandidati për mandatin e dytë, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se ka filluar furnizimi gradual me ujë për 15 fshatra dhe për qytezën. Ai ka theksuar se ky ka qenë një prej premtimeve të tij elektorale.
“Sot më dt.10.10.2025 në ora 17:00 fillon furnizimi gradual me ujë nga projekti kryesor i ujësjellësit, që do të përfshijë 15 fshatra dhe qytezën e Dragashit. Ky projekt është një premtim elektoral i përmbushur dhe një hap i madh drejt përmirësimit të jetesës së qytetarëve”, njoftoi Xheladini.
E, në Ferizaj, kandidati për kryetar, Visar Azemi, ka premtuar se prioritet kryesor i qeverisjes së tij do të jetë zgjidhja e problemit me ujë të pijshëm.
“Prioriteti i parë është uji, prioriteti i dytë është prapë uji, dhe i treti është uji. Nuk ka kuptim në një qytet si Ferizaj në vitin 2025, më pas mungesë të ujit të pijshëm”, deklaroi ai.
Gjatë ditës, fushatë kanë bërë edhe kandidatë të tjerë. Në Mitrovicë, Gazmend Plakolli ka thënë se me LDK-në në qeverisje, sektori privat do të jetë prioritet.
Kandidatë të LVV-së i marrin merita për punë të Qeverisë, kryetarët prezantojnë projekte në fund mandati
Ditën e parafundit të fushatës zgjedhore, kryetarë dhe kandidatë të Vetëvendosjes për qeverisje lokale e kaluan duke inauguruar projekte, nisur punime të reja e nënshkruar kontrata për investime me nivelin qendror. Në Prishtinë, kandidati Hajrulla Çeku, e përuroi fillimin e punimeve të fazës së dytë për ndërtimin e kompleksit sportiv-stërvitor të “FC Prishtina” në Bernicë, punë kjo që është nisur prej tij në cilësinë e detyrës së ministrit të Kulturës.
“Po besoj e dini që përveç obligimeve kontraktuale, se këto janë para të qytetarëve, e kemi edhe një obligim të madh se fjala është për Prishtinë”, ka thënë Çeku.
Në Lipjan, kandidati i LVV-së për kryetar komune, Ilir Qeriqi, e prezantoi nënshkrimin e kontratës nga Ministria e Infrastrukturës për ndërtimin e rrugës Lipjan-QMI, në vlerë prej 6.9 milionë eurosh.
“Kjo rrugë pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të zvogëlojë kolonat e gjata që kanë qenë një problem i vazhdueshëm për qytetarët. Me nisjen e këtij projekti, fundi i pritjeve të gjata në trafik është më afër se kurrë”, ka thënë Qeriqi.
Promovim për nënshkrimin e kontratës nga Ministria e Kulturës për restaurimin e Xhamisë së Madhe “Mulla Vesel Guta”, me vlerë 1.3 milion euro bëri edhe kandidati i LVV-së për kryetar komune në Ferizaj, Enver Haliti.
“Si propozues i amendamenteve për restaurimin e objekteve të trashëgimisë në Ferizaj, u gëzova me lajmin e mirë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit se është nënshkruar kontrata për restaurimin e Xhamisë së Madhe “Mulla Vesel Guta”, në vlerë prej 1,339,558.50 Euro, me afat 2 vjeçar për realizim të punëve”, ka thënë Haliti.
E në Dragashin, kandidati Filiz Mustafa, e kumtoi lajmin për nënshkrimin e një tjetër kontrate nga Ministria e Kulturës për fillimin e punimeve në ndërtimin e qendrës multifunksionale në këtë komunë, me një investim prej rreth 1 milion euro.
“Shpejt do të nisin edhe punimet. Faleminderit ministër e kryetar i ardhshëm i Kryeqytetit Hajrulla Çeku për angazhimin”, është shprehur Mustafa.
Punë të Qeverisë promovoi edhe kandidati për Kaçanikun, Jeton Raka, teksa ka vizituar zonën e punimeve në rreth-rrotullimin Doganaj–Glloboçicë. Aty ai tha se pas 12 tetorit do të vazhdojë me projekte konkrete e shumë të nevojshme.
E në Fushë-Kosovë, kandidati për kryetar Valon Prebreza e përuroi lëshimin e ujit të pijshëm për 400 familje në Miradi të Epërme.
“Jemi tek rezervuari i cili do të furnizojë Miradinë e Epërme me ujë të pijshëm nga Liqeni i Badovcit. Rezervuari ka kapacitetin prej 150 metrash kub e i cili do të furnizojë më shumë se 400 familje të Miradisë. Sot po e bëjmë lëshimin zyrtarisht”, ka thënë ai.
Në Shtime, kryetari Qemajl Aliu që është në fund të mandatit, i nisi punimet për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve të Shtimes. Njësoj edhe kryetari e kandidati për Podujevën, Shpejtim Bulliqi, nisi një projekt për mbjelljen e drunjve në oborret e shkollave. Tha se do të mbillen 1700 sosh.
Fushatën me premtime për investime e kanë vazhduar edhe kandidatë të tjerë të LVV-së. Ai për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, ka shpalosur programin e tij për Kulturën dhe Sportin në këtë komunë. Ademi ka thënë se do të funksionalizohet Teatri i qytetit, do të mbështeten me subvencione grupet artistike e do të bëhet mbrojtja e objekteve të trashëgimisë kulturore. E për Sportin, u shpreh se do të bëhet përfundimi i palestrës sportive në Dobresh, ndërtimi i tribunave në tri stadiume, ndërtimi i qendrës multifunksionale dhe rehabilitimi i fushave sportive nëpër fshatra.
Në Deçan, kandidati Faton Selmanaj, pas një vizite në fshatin Dubravë ka theksuar problemet e këtij vendbanimi i cili sipas tij, për vite të tëra është lënë në harresë nga pushteti lokal. Ka thënë se me qeverisjen e tij do të zgjidhet problemi i ujit të pijes, kanalizimit të ujërave të zeza, ndriçimit publik të pamjaftueshëm dhe rrjetit elektrik që sipas tij, është në gjendje të rëndë e në disa zona paraqet edhe rrezik për banorët.
Totaj thotë se i ka shanset e mira për të arritur fitore spektakolare në Prizren
Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Shtimes, Përparim Ramusa, ka deklaruar se komuna është keqqeverisur gjatë mandatit të kaluar dhe ka theksuar se kandidatura e tij ofron transparencë dhe llogaridhënie. Ai tha se do t’i jap fund mbylljes së komunës ndaj qytetarit.
“Shtimja ka nevojë për duar të pastra për njerëz që nuk fshihen pas premtimeve, por punojnë me zemër e me ndershmëri. Shumë gjëra kanë shkuar keq, pak gjëra janë bërë me transparencë. Qytetarët kanë të drejtë të dinë ku shkon çdo euro, kush merr vendime, e për këto vendime kush mbanë përgjegjësi”, ka thënë ai.
E në Prizren, gjatë një takimi me të rinjtë e PDK-së në këtë komunë, kryetari e kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj ka thënë se pika më e fortë e tij është puna e bërë gjatë katër viteve të shkuara, tek tha se janë afër një fitoreje spektakolare.
“Performanca nuk njeh as dijen, as angazhimin. Performanca e njeh rezultatin e punës dhe ne i kemi pasur rezultatet tona. I kemi gjasat shumë të mira ta realizojmë një fitore pak më spektakolare në ditën e 12 tetorit që nuk është shumë larg”, ka deklaruar ai.
Uran Ismaili, kandidati për kryetar të Prishtinës gjatë një takimi me student tha se, po qe se e merr mandatin, do të instaloj një kulturë llogaridhënie në qeverisjen komunale.
“Unë i kam dy obligime: t’i realizoj ato që i premtoj dhe të krijoj një kulturë të llogaridhënies. Nëse unë vij nesër dhe them se kjo është ajo që e kam premtuar, mendoj që e instaloj një kulturë të llogaridhënies edhe për ata që vijnë pas meje, që ju edukoheni krejt edhe si publik edukohemi që nuk kemi nevojë të pranojmë diçka që nuk është reale”, ka theksuar ai.
E Petrit Hajdari, në garën për Komunën e Drenasit, ka thënë se ai është kandidati i vetëm që përfaqëson Partinë Demokratike. Pasi edhe kundërkandidati i tij, Ramiz Lladrovci, që pak para zgjedhjeve ka themeluar një parti, pretendon të jetë “përfaqësuesi i vërtetë i PDK-së.
“Me fotografi të arkivit nuk kalohet, me kujtime të vjetra nuk mashtrohet Drenasi. Nuk mjafton me dalë në foto të vjetra e me u kujtu veç kur vjen fushata. Kush ka qenë turist në PDK, s’mundet sot me u paraqit si themelues. Ka qenë në parti për interes, jo për ideal. Sot e din krejt Drenasi që edhe drejtorët e tij janë kundër PDK-së, sepse s’kanë të përbashkët as vizionin, as vlerat. Drenasi i njeh mirë ata që kanë punuar për këtë parti e për këtë vend, edhe ata që e kanë përdor për vete e foto. Kur ‘miliunat’ janë zhdukur nëpër projekte e pazare, nuk të shpëton dot as fotografia, as fjalët e mëdha të shtihuara. Më 12 tetor, qytetarët kanë me e çu në shtëpi mashtruesin, me votë, me dinjitet dhe me bindjen që Drenasi nuk shitet për interesa personale, kurrë”, ka shkruar Hajdari në Facebook.
Kritika për qeverisjen në Podujevë pati kandidati i PDK-së për kryetar të kësaj komune, Isak Shabani.
“Kemi parë shkolla pa nxënës, fshatra që zbrazen, bujqësi pa mbështetje, rini e sport pa vizion, administratë të politizuar e punësime pa meritokraci. Por unë besoj se ka zgjidhje. Programi im për Podujevën është çelësi i ndryshimit”, ka thënë ai.
E kryetari i partisë, Memli Krasniqi përmes një video që publikoi në Facebook, i uroj të gjithë përkrahësve të PDK-së përvjetorin e 26 të themelimit të partisë, tek kërkoi mbështetjen e tyre në këto zgjedhje lokale.
LDK-ja mbyll fushatën në Prishtinë, Abdixhiku: Kryeqyteti është dëshmia e suksesit të Përparim Ramës
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur sonte fushatën zgjedhore në Prishtinë, me thirrjen që të dielën qytetarët të dalin dhe të votojnë për kandidatin e kësaj partie për kryetar të ri të kryeqytetit Përparim Rama.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se presin fitore në zgjedhjet e së dielës.
“Prishtina që u zotuam se do ta duam me plot me zemër, flet me shkollë që kanë ndryshuar, flet me mësimin tërëditor, flet me rrugë që lidhen me unaza që marrin jetë dhe lagje që marrin frymë, flet me vizionin tonë të qartë me njerëzit tanë të ndershëm në shërbimin e qytetit. Kryeqyteti është dëshmia më e mirë e suksesit dhe vizionit të Përparim Ramës, duke sjellë ndryshime të mëdha në arsim. Fëmijët e Prishtinës sot mësojnë më shumë dhe kanë më shumë përgatitje për jetën, dhe prindërit e dinë se fëmijët e tyre janë më të sigurt në shkolla moderne dhe kushte më të mira. Ne e bëjmë një Prishtinë, do ta bëjmë gjithandej nëpër Kosovë... Prishtina është më e fortë se propaganda, sepse puna e ndershme gjithmonë fiton mbi lojën politike. LDK e Përparimi ka fituar me punë dhe jo me pallavra e me propagandë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka folur mbi projektet që do të përfundojnë projektet si rruga A, projekti i unazës së brendshme dhe ndërtimin e shesheve të reja, duke thënë se Prishtina ka nevojë për qeverisje serioze me Përparim Ramën kryetar në katër vjetët e ardhshme.
“Prishtina nuk ka kohë për eksperimente dhe lojëra politike, por ka nevojë për qeverisje serioze dhe këtë e ofron vetëm Përparimi dhe LDK-ja, prandaj më 12 tetor qytetarët e Prishtinës do të zgjedhin punën mbi propagandën, do të zgjedhin Përparim Ramën dhe LDK-në me të parën... Le ta kuptojmë, aty ku ata na bllokojnë ne ndërtojmë, aty ku ata ndajnë ne bashkojmë, aty ku ata jetojnë nga sharja ne jetojmë nga shpresa, aty ku ata ushqejnë me frikë ne ushqejmë me besim, aty ku ata na i humbin vitet ne fitojmë të ardhmen”, tha Abdixhiku.
Kandidati për kryetar të Prishtinës Përparim Rama ka folur mbi mandatin e tij të parë dhe problemet me të cilat është përballur nga niveli qendror, për siç tha ai, inatet e të tjerëve për pengimin e projekteve, por pavarësish kësaj kryeqyteti nuk u dorëzua. Ai tha se Prishtina është shndërruar në një qendër kulturore.
“Prishtina nuk u bllokua kurrë. Asnjë lojë politike nuk mundi ta ndalë vizionin për një Prishtinë moderne, sepse ajo është përgjegjësi, dashuri dhe detyrë...Prishtina ecë përpara me vizon dhe transparencë, dhe me besimin e juaj të qytetarëve...Kemi bërë gjëra të mëdha që na kanë qitur në harta botërore. Qytetarët e Prishtinës e dinë kush ka ndërtuar ura dhe kush ka ngritur pengesa. Në mandatin e dytë do ta çojmë Prishtinës Përtej. Projektet që ka nisur nuk do të ndalen, por do të bëhen realitet. Do të bëjmë unazën e jashtme, spitalin e kryeqytetit, do të zgjerojmë mësimin tërë-ditor në të gjitha shkollat, do të ndërtojmë shkolla moderne, çerdhe të reja, qendra sociale dhe do të hapim edhe fshatin olimpik, zemrën e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka thënë Rama.
Ai tha se do të ndërtojnë edhe parkun më të madhin në 25 vjetët e fundit, parkun memorial “Ibrahim Rugova” dhe memorialin “Adem Jashari”, ndërtimin e qendrës teknologjike dhe inteligjencës artificiale për të rinjtë.
Në këtë tubim janë prezantuar edhe kandidatët për asamblistë nga radhët e LDK-së në Prishtinë.
Gjini: Projekti “Koncepti i tre lumenjve” po merr formë, nis faza e fundit e punimeve në Gjakovë
Kandidati për kryetar të Gjakovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka bërë të ditur se ka nisur faza e fundit e punimeve në kuadër të projektit “Koncepti i tre lumenjve”, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore dhe mjedisore për qytetin.
Gjini ka vizituar segmentin e fundit pranë Urës së Taliqit, ku ka parë nga afër zhvillimin e punimeve. Ai ka theksuar se projekti, me vlerë rreth 1.5 milionë euro, do ta shndërrojë këtë zonë në një hapësirë moderne, atraktive dhe tërësisht funksionale për qytetarët e Gjakovës.
“Sot vizituam segmentin e fundit pranë Urës së Taliqit, për të parë nga afër nisjen e punimeve. Ky projekt do ta kthejë këtë zonë në një hapësirë moderne dhe atraktive për qytetarët – një tjetër hap drejt një Gjakove më të gjelbër dhe më funksionale”, ka shkruar Gjini.
Hyseni: Transformimi i Parkut të Pishave dhe Korridori i Gjelbër, projekte prioritare për Podujevën urbane
Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka theksuar se një nga prioritetet e tij kryesore për zhvillimin urban të qytetit do të jetë transformimi i Parkut të Pishave dhe ndërtimi i Korridorit të Gjelbër.
Hyseni ka deklaruar se këto projekte janë pjesë e vizionit të tij për ta bërë Podujevën një qytet më të gjelbër, më të jetueshëm dhe më atraktiv për qytetarët.
“Transformimi i Parkut të Pishave dhe Koridori i Gjelbër është projekti tjetër prioritar për Podujevën tonë urbane,” ka thënë ai.
Sipas tij, investimet në hapësira publike dhe mjedis janë thelbësore për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe për krijimin e një identiteti të ri urban për Podujevën, që ruan natyrën, por edhe zhvillohet në mënyrë moderne e të qëndrueshme.
Çeku: Taksitë, pjesë e sistemit të mobilitetit që e bën Prishtinën më efikase
Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, ka diskutuar me përfaqësues të Shoqatës së Autotaksive për sfidat e tyre të përditshme.
Në një publikim në Facebook, ai ka thënë se ka diskutuar me ta edhe për mënyrat se si mund të përmirësohet lëvizja nëpër Prishtinë.
“Ne i shohim taksitë si pjesë të sistemit të mobilitetit që e bën Prishtinën më efikase, të qasshme dhe të organizuar për të gjithë. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm mund të sigurojmë kushte që mundësojnë ofrimin e shërbimit më cilësor për qytetarët. Bashkë për një Prishtinë të rregullt dhe pa kaos”, ka shkruar ai në Facebook.
Ismaili: Të rinjtë, pjesë e ndryshimit që po vjen në Prishtinë më 12 tetor
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Uran Ismaili, ka thënë se të rinjtë do të bëhen pjesë e ndryshimit “që po vjen në Prishtinë”.
Në një takim me studentët e RIT Kosova, Ismaili ka folur për “rëndësinë e llogaridhënies dhe mbajtjes së përgjegjësisë në politikë, si dhe për zgjidhjet konkrete që ka për çdo lagje dhe fshat të Prishtinës”.
“Prishtina është qytet i rinisë! Në momentet vendimtare të kryeqytetit, rinia e Prishtinës gjithmonë e ka sjellë ndryshimin! Njësoj do të ndodh edhe me 12 tetor!”, ka thënë Ismaili.