Në ditën e fundit të fushatës parazgjedhore, AAK-ja tubimin më të madh e ka organizuar në Gjakovë. Kryetari Ardian Gjini ka promovuar punët e bëra gjatë mandatit dhe ka dhënë premtime të reja, ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se të dielën ka festë në Gjakovë.
Fushatën përmbyllëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka mbajtur në Gjakovë.
Kryetari Ardian Gjini, i cili synon edhe një mandat, promovoi punët e deritashme dhe premtoi projekte të reja, nëse e fiton garën.
“I kemi katër kapituj në programin tonë, përpos punëve të përditshme që duhet të kryhen, janë punë që duhet me u kry. E kemi konceptin e tre lumenjve dhe të liqenit që është i vetmi në Ballkan dhe është duke u kryer. Diku 60% e punëve është kryer. Është diçka e jashtëzakonshme, fantastike. Por me këta njerëz që janë këtu e kemi kryer. E kemi konceptin e trajtimit të ujërave të zeza he kanalizimeve në fshatra që ka me e marrë buxhetin më të madh për katër vitet që vijnë”, ka thënë ai.
E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Gjakova do të festojë të dielën.
“Unë e di që më 12 tetor, pra nesër, ne të gjithë do ta festojmë edhe një bashkim, edhe një fitore re, edhe një mandat të ri me Ardian Gjinin. Çdo qytetar i Gjakovës, qoftë mbështetës i aleancës, ose dikush që ende nuk ka pasur kohë për t’u përcaktuar, besomi e ka shumë të lehtë, e ka Ardian Gjinin”, ka thënë Haradinaj.
Në ditën e fundit të fushatës, edhe kandidatë të tjerë të AAK-së për kryetar të komunave, kanë përmbyllur fushatën me premtime e thirrje për votë.
Në Gjilan, Nazim Gagica, falënderoi qytetarët për mbështetjen gjatë gjithë fushatës dhe i ftoi që të dalin dhe të votojnë.
Ai tha se ka paraqitur program të realizueshëm dhe me vizion për zhvillimin e Gjilanit.
“Faleminderit nga zemra që ishim bashkë në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo takim e bashkëbisedim. Gjatë gjithë kësaj fushate zgjodhëm të dëgjojmë, të propozojmë dhe të punojmë me respekt jo me zhurmë, por me ide e me dashuri për qytetin tonë. Unë dhe ekipi im kemi paraqitur një program të qartë, të realizueshëm dhe me vizion për një Gjilan më të zhvilluar, me të drejtë dhe më modern. Tani, fjala është e juaja”, ka thënë Gagica.
Edhe kandidati që e synon Prizrenin, Besnik Krasniqi, ka kërkuar votën e qytetarëve, duke premtuar se do ta bëjë Prizrenin qendër të turizmit. Votë kërkuan edhe kandidatë të tjerë për kryetarë komunash.
