Zgjedhjet lokale

Haliti: Do t’i finalizojmë 200 projekte, sepse nuk do të jetë më kjo qeveri që na ka bllokuar

Sokol Haliti

Kandidatë të Lidhjes Demokratike, në ditën e katërt të fushatës për balotazhin e 9 nëntorit, kanë folur për nivelin qendror. Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, i cili e synon edhe një mandat në krye të Komunës, ka thënë se pret që të realizohen 200 projekte, pasi ka theksuar se edhe në nivel qendror do të ketë qeveri të re e cila nuk i bllokon komunat

Kandidatët e Lidhjes Demokratike (LDK) e kanë vazhduar të enjten fushatën elektorale në nëntë komuna, në të cilat janë në balotazh, duke prezantuar projekte dhe duke kërkuar mbështetje me votë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili e synon edhe mandatin e radhës në krye të komunës, ka premtuar se do ta bëjë transformimin e plotë të lagjes “Kodra e Diellit”.

“Këtu në ‘Bregun e Diellit 2’, tash do të instalojmë edhe ngrohjen qendrore. E dini që kemi pasur buxhetin prej milionëve, të cilin tash do e shtyjmë përpara instalimin e ngrohjes qendrore. Përveç asaj, edhe hapësirat publike të gjelbra edhe më të pastra e më të mira, po edhe në atë pjesën andej kemi për ta vazhduar transformimin, pra me i bo të gjitha shkollat e reja dhe këto pjesët, hapësirat publike të reja”, ka theksuar Rama.

Në Fushë-Kosovë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar komune, Besnik Osmani, ka premtuar ndërtimin e tri parkingjeve nëntokësore po qe se e fiton mandatin.

Ai ka thënë se ka projekte të cilat do ta përfshijnë lagjen “Dardania”, “Kompleksin 300” dhe tregun aktual në Bresje.

“Në planin tonë qeverisës për periudhën 2026-2029, do të realizohen tri parkingje nëntokësore, përmes partneritetit publiko-privat në lagjen ‘Dardania’, ‘Kompleksin 300’ dhe te tregu aktual në Bresje”, është zotuar Osmani.

E, në Gjilan, kandidati i LDK-së për kryetar, Arbër Ismajli, ka zhvilluar takim me veteranë të luftës, para të cilëve ka premtuar punësim dhe zhvillim ekonomik.

“Kjo përkrahje ka peshë të madhe për mua, sepse vjen nga njerëz që sakrifikuan gjithçka për këtë vend. Ju premtoj me sinqeritet se do të jemi bashkë, gjithmonë në punë, në zhvillim, e në çdo hap për një Gjilan të ri më të drejtë, më të bashkuar dhe shumë zhvillimor. Luftëtarët e lirisë do të kenë gjithmonë vend nderi në zemrën tonë dhe në bashkëqeverisjen tonë të ardhshme me ta”, ka theksuar Ismajli.

Në komunën fqinje të Gjilanit, atë të Vitisë, kryetari aktual Sokol Haliti, i cili pret që ta sigurojë mandatin e radhës nëpërmjet balotazhit, ka thënë se mbi 200 projekte të buxhetuara presin ekzekutim, nëse e fiton garën e 9 nëntorit.

“Prandaj, krejt këto projekte, këtë vizion të lidhjes sonë, të magjistrales sonë e cila do të kthehet në përparësi me kyçje në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ dhe ‘Arbër Xhaferi’ do ta finalizojmë për shkak se qeveria e ardhshme nuk do të jetë kjo e cila na ka bllokuar katër vjet. Ne jemi të vetmit që kemi program qeverisës dhe përtej kësaj, ne jemi të vetmit që 200 projekte i kemi në vazhdimësi të planifikuara, të buxhetuara që pritet të ekzekutohen në tërë territorin e Komunës së Vitisë”, ka deklaruar Haliti.

Ndërkaq në Junik, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Ruzhdi Shehu, ka promovuar asfaltimin e disa rrugëve në lagjet “Berishë”, “Krasniq” dhe “7 Shtatori”, duke premtuar se asnjë rrugë në këtë komunë nuk do të mbetet e paasfaltuar.        

“Disa i kemi nisur dhe së shpejti do t’i asfaltojmë. Disa të tjera ende nuk iu ka ardhur radha. Mirëpo LDK do të asfaltojë të gjitha rrugët e Junikut pa dallim. Infrastruktura është parakusht për jetën dhe mirëqenien e junikasve. Fatkeqësisht kjo çështje ka qenë dashur të zgjidhet para 12 vjetësh nga pushteti i kaluar”, ka thënë Shehu.

Në Suharekë, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Ardian Shala, gjatë një takimi me banorë në fshatin Neperbisht, u ka premtuar qytetarëve “epokë të re” për zhvillimin e komunës.

Në zgjedhjet e balotazhit, LDK-ja në Prishtinë hyn në garë si partia e parë e dalë nga raundi i parë i mbajtur më 12 tetor. Në Fushë-Kosovë, Osmani ka dalë i dyti dhe tash është në koalicion me të tretin, Rrahim Tërnavën e PDK-së. Në Obiliq, Gashi ka dalë i pari. Të tri këto komuna udhëhiqen nga LDK-ja dhe kandidatët e saj garojnë kundër atyre të Lëvizjes Vetëvendosje. E në Suharekë, Shala e sfidon kryetarin aktual, Bali Muharremaj, të AAK-së.

Lidhja Demokratike është në balotazh edhe në komunat e Gjilanit, të Vitisë, të Pejës, të Junikut dhe të Dragashit.

Lexo përditësimet tjera
KQZ-Zgjedhjet

Dita e katërt e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale