Zgjedhjet lokale

Haliti: Pavarësisht ndërhyrjeve, qytetarët e Vitisë vendosën për vazhdimësinë dhe punën e mirë

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se pavarësisht se pati shumë ndërhyrje, qytetarët vendosën për vazhdimësinë dhe punën e mirë që është bërë në këtë komunë qe 12 vjet.

Haliti e siguroi mandatin e katërt pas një garë shumë të ngushtë me Arsim Ademin e Lëvizjes Vetëvendosje në balotazhin e 9 nëntorit. Haliti është rreth 200 vota mbi Ademin.

Kryetari aktual gjatë një interviste në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se votat me kusht dhe ato të diasporës nuk pritet ta ndryshojnë rezultatin, pasi në rundin e parë rezultatet ishin në favor të Halitit.

“Votat me kusht dhe në diasporë pritet të jenë në favor timin, ashtu si në rund të parë. Pasi janë të njëjtit votues të regjistruar, presim ripërsëritje të verdiktit dhe prapë votat e diasporës të jenë bindëse për mua”, ka thënë Haliti.

Ai theksoi se, ndonëse gara ishte e ngushtë, fitorja është e merituar dhe përfaqëson vullnetin e qytetarëve për vazhdimësi.

“Ndoshta dikujt i duket fitorja e ngushtë, por rrethanat që kanë qenë në Viti e bëjnë këtë fitore të merituar. Ka pasur jashtëzakonisht shumë ndërhyrje, megjithatë qytetarët e Vitisë kanë vendosur me ruajt vazhdimësinë, progresin dhe punën e mirë”, deklaroi ai.

Haliti shtoi se programi i tij ka bindur qytetarët dhe paralajmëroi përfshirje më të gjerë në qeverisjen lokale.

“Komuna e meriton të qeveriset me përfaqësues të denjë, pse jo edhe me profesionistë që s’janë domosdoshmërisht nga partia ime. Do ta shqyrtojmë përfaqësimin në interes të Vitisë dhe do të kërkojmë konsensus për të mirën e saj”, ka thënë ai.

Duke folur për procesin zgjedhor dhe pas pretendimeve për dallavere në Mitrovicë, kryetari i rizgjedhur ka thënë se ka pasur dyshime për “përdorim skemash” gjatë zgjedhjeve dhe kërkoi që ato të verifikohen nga organet kompetente.

“Kam pasur dyshimet e mia për përdorimin e skemave edhe në zgjedhjet qendrore, edhe në këto lokale. Inteligjenca politike duhet t’i vë në pah keqpërdorimet, ndërsa inteligjenca shtetërore t’i verifikojë. Kemi pasur disa ankesa që priten të shqyrtohen”, përfundoi Haliti.