Zgjedhjet lokale

Hyseni ia numëron keqpërdorimet, Bulliqi i thotë se është praktikant

Shpejtim Bulliqi & Ekrem Hyseni

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka akuzuar kryetarin aktual Shpejtim Bulliqi për një sërë keqpërdorimesh gjatë katër vjetëve të qeverisjes gjatë debatit për këtë komuna në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.

Ai ka thënë se qytetarët janë përballur me një pushtet të mbyllur, ku “shoferi përcakton kush hyn në zyrën e kryetarit” dhe se projektet janë realizuar me shpenzime të dyshimta. Si shembull, Hyseni përmendi pishinën gjysmë-olimpike që sipas tij i ka kushtuar Podujevës dyfish më shumë se komunave të tjera, pa i plotësuar as standardet ndërkombëtare.

Po ashtu, ai foli për tenderë të dhënë ofertuesve më të shtrenjtë dhe për projekte rrugore të realizuara në mënyrë të pamundur për një ditë, duke ngritur dyshime për abuzim me fondet publike.

Ndërkaq, kryetari aktual dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, i ka cilësuar këto akuza si “llafe të kota”. Ai ka thënë se gara zgjedhore nuk fitohet me akuza, por me punë, projekte dhe ide konkrete për qytetarët.

Bulliqi shtoi se Hyseni dhe kundërshtarët e tij janë “praktikantë që nuk marrin vesh nga pushteti lokal”, ndërsa Podujeva tashmë, sipas tij, po sheh rezultatet e punës së qeverisjes së tij.

Lexo përditësimet tjera
Debati për Podujevën

Kandidatët për Podujevën shpalosin programin për katër vjetët e ardhshëm