Zgjedhjet lokale

Idrizi thotë se e kërcënoi Meholli, ky e mohon

Ferit Idrizi dhe Sylejman Meholli

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, njëherësh kandidat i PDK-së edhe për një mandat, ka thënë se është kërcënuar nga kundërkandidati i tij në balotazh, Sylejman Meholli i Lëvizjes Vetëvendosje. 
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. 

“Sot rreth orës 17:30 është pranuar informata për një kanosje në rrugën ‘Xhorxh Bush’ në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në përgjigjen e Policisë. 

Sipas Idrizit rasti ka ndodhur pas një debati që e kanë zhvilluar me Mehollin në Kallxo.com. 

Ai ka thënë se këtë ka dhënë dëshmi në stacionin e Policisë në Prishtinë. 

“Bashkë me dëshmitarët tjerë, sapo kemi dhënë dëshminë në stacionin e policisë në Prishtinë. Rasti është në trajtim nga institucionet përkatëse. E dënoj këtë akt dhe ju kërkoj ndjesë për shqetësimin. Gara për Vushtrrinë duhet të mbetet garë idesh dhe projektesh, jo kërcënimesh”, ka shkruar Idrizi. 

Por, kandidati nga LVV-ja, Sylejman Meholli ka mohuar që e ka kërcënuar Idrizin. Përmes një postimi në Facebook, Meholli e quajti shpifje dhe për këtë paralajmëroi padi.