Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbyllur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 12 tetorit.
Ai ka thënë se kryetari Përparim Rama nuk ka ndryshuar kryeqytetin pavarësisht katër vjetëve të pushtetit.
“Përparim Rama pati katër vite për ta ndryshuar Prishtinën, por sot qytetarët ende përballen me të njëjtat probleme – errësirë, mbeturina, mungesë uji dhe trotuare të thyera. Nuk mund të kërkosh një shans të dytë, kur ke humbur të parin”, ka thënë Ismaili, duke theksuar se koha e justifikimeve ka mbaruar.
Ai ka shtuar se qyteti meriton më shumë se projekte në letër dhe vizione të parealizueshme.
“Prishtina ka nevojë për punë konkrete, për kujdes të përditshëm dhe për një kryetar që e mban fjalën. Unë besoj në një kryeqytet që i jep fund premtimeve të harruara dhe ringjall shpresën”, ka thënë ai.
Në fund, Ismaili u bëri thirrje qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për ndryshim, duke thënë se “është koha për një Prishtinë që punon për njerëzit e vet, jo për pushtetin”.
