Zgjedhjet lokale

Ismaili: Politika me i marrë votat e me harru pas zgjedhjeve përfundon me 12 tetor në Prishtinë

ismaili

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK, Uran Ismaili, u është drejtuar sonte qytetarëve në shkollën “Zenel Hajdini” në kryeqytetit, duke premtuar se kjo zonë do të marrë vëmendjen dhe investimin që meriton.

“Prej 25 vitesh, Kodra e Trimave është trajtuar si një hambar votash — vizitohet në fushata, por harrohet sapo mbyllen kutitë e votimit. Kjo përfundon më 12 tetor. Ne do të fillojmë punën që nga dita e parë për të sjellë ndryshime të vërteta dhe të matshme për këtë komunitet,” tha Ismaili.

Ai kritikoi qeverisjet e kaluara dhe aktuale për premtime boshe dhe projekte të paarritshme, duke theksuar mungesën e zgjidhjeve për problemet e përditshme të qytetarëve.

“Kemi dëgjuar premtime të mëdha dhe plane në letër, por asnjë zgjidhje për realitetin e përditshëm: rrugë të pasigurta, ndriçim të dobët, trafik kaotik, mungesë hapësirash publike, ndërtim të pakontrolluar dhe vonesa në legalizimin e pronave,” u shpreh ai.

Ismaili paraqiti zotimin e tij për punë konkrete dhe të shpejta sapo të marrë detyrën.

“Do të kthehem rregullisht në Kodrën e Trimave për të parë përmbushjen e zotimeve tona. Puna do të jetë e menjëhershme, e matshme dhe e dukshme — jo projekte 10-vjeçare që nuk bëhen kurrë realitet,” theksoi Ismaili.

Në fund, Ismaili dha një zotim të fortë llogaridhënieje: “Nëse nuk përmbush të paktën 90% të zotimeve të mia, nuk do të kërkoj më votën tuaj. Kodra e Trimave nuk do të harrohet më. Më 12 tetor fillon një epokë e re e ndryshimit për këtë lagje dhe për gjithë Prishtinën.”
 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 25-të e fushatës