Zgjedhjet lokale

Kandidatët e VV-së në Prizren e Pejë zotohen për mbështetje të bizneseve të vogla

Artan Abrashi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit dhe ai për të Pejës janë zotuar për mbështetje të bizneseve të vogla e të mesme. Ndërkaq kandidati i kësaj partie në Gjakovë ka premtuar ndërtimin e një parku olimpik. Kandidati në Gjilan është zotuar se do të udhëheqë edhe në një mandat me disiplinë financiare. E të rinjve në Mitrovicë u është premtuar mbështetje në sektorin e IT-së e trajnime për aftësim profesional nga kandidati i VV-së për kryetar, Faton Peci

Përkujdesje për bizneset e vogla të qytetit të Prizrenit ka premtuar kandidati për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi. Ai ka akuzuar kryetarin aktual të Komunës, Shaqir Totaj, se po e keqpërdor autoritetin zyrtar për interesa private, gjë që, sipas tij, do ta cenojë mirëqenien e bizneseve të vogla.

Abrashi ka thënë se me qeverisjen e tij nuk do të lejohet ndërtimi i qendrës tregtare në Bazhdarhane, meqë kjo do të godiste bizneset e vogla e ato zejtare.

“Ky projekt do të shkatërronte bizneset e vogla që janë shpirti i këtij qyteti dhe nuk do ta lejojmë që kjo t’i ndodhë Prizrenit. Çdo zhvillim duhet të bëhet në shërbim të qytetarëve dhe jo të interesave të ngushta private. Shaqë, dil kallëzo ku janë 100 milionë euro? Ose mua, ose Prokurorisë”, është shprehur Abrashi.

Për bizneset e vogla e të mesme mbështetje ka premtuar edhe kandidati për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi. Ai ka thënë se kjo mbështetje do të ofrohet duke u mundësuar bizneseve krijimin e infrastrukturës së nevojshme, rritjen e kapaciteteve të punësimit e ndërlidhjen e arsimit dual me tregun e punës.

“Qeverisja jonë do të jetë pranë biznesit prodhues, duke ofruar mbështetje për krijimin e infrastrukturës së nevojshme dhe përkrahje konkrete në rritjen e kapaciteteve të punësimit. Ndërlidhja e arsimit dual me tregun e punës kërkon angazhim konkret nga Komuna. Bashkëpunimi përmes skemave konkrete krijon vende të reja të punës. E ardhmja do të jetë më e mirë kur qeverisja lokale është krah i qytetarëve dhe bizneseve të vogla e të mesme”, ka shkruar ai në Facebook.

E gjatë një vizite në Klubin e Shahut në Gjakovë, kandidati për kryetar të kësaj komune, Ardian Gola, ka premtuar ndërtimin e një kompleksi sportiv, për të cilin ka thënë se do të përfshijë shumicën e sporteve.

“Krejt çka mbetet është me e ndërru mendësinë qeverisëse. Është një kompleks sportiv që e kemi në plan ta bëjmë. Një park olimpik, ku do të jenë të gjitha hapësirat për shumicën dërrmuese të sporteve që i zhvillojmë ne si Kosovë”, ka thënë Gola.

Në Gjilan kryetari i Komunës, që synon edhe një mandat, Alban Hyseni, ka promovuar punën gjatë qeverisjes 4-vjeçare dhe është ankuar se ka paguar mbi 17 milionë euro borxhe të trashëguara. Ai ka premtuar se edhe në mandatin e ri do të tregojë disiplinë financiare.

“Komunën e kemi rikthyer në binarë të shëndoshë financiarë, duke e bërë të aftë për projekte të reja zhvillimore”, ka thënë Hyseni.

Ndërkaq kandidati për kryetar të Junikut, Jetmir Tofaj, ka kritikuar kundërkandidatët e tij, për të cilët ka theksuar se po i ikin ballafaqimit publik me të për të shpalosur planet për komunën.

“Sot nga ora 13:45 e kishim të paralajmëruar debatin për Junikun këtu në KTV, ku asnjëri nga kundërkandidatët e mi nuk morën pjesë. Unë i ftoj të ballafaqohen me mua, të ballafaqojmë vizionin tonë për Junikun, sepse vetëm kështu jemi korrektë ndaj qytetarit të cilit ia kërkojmë votën dhe besimin në katër vjetët e ardhshëm”, është shprehur Tofaj.

Ai është i vetmi që ka marrë pjesë në emisionin kushtuar Junikut dhe ka premtuar ujë të pijshëm për gjithë komunën, rregullimin e shtratit të lumit Ereniku dhe rregullimin e qendrës së komunës.

Në Mitrovicë kandidati për kryetar, Faton Peci, është zotuar për mbështetjen e të rinjve në sektorin e teknologjisë, ofrim të kurseve të gjuhëve të huaja dhe trajnime për aftësim profesional.

“Të rinjtë meritojnë më shumë hapësira për krijimtari, inovacion dhe punësim”, ka shkruar ai në Facebook.

E kandidati i VV-së për kryetar të Prshtinës, Hajrulla Çeku, ka postuar një listë premtimesh për lagjen “Kodra e Trimave”, një ditë pasi ka takuar banorët e kësaj zone.

Gjatë të enjtes Çeku ka vizituar edhe disa biznese në kryeqytet.

Lexo përditësimet tjera
KQZ-Zgjedhjet

Dita e 20-të e fushatës