Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të martën se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave për monitorimin e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas njoftimit të KQZ-së, kërkesat për akreditim duhet të dorëzohen online brenda disa afateve të përcaktuara.
Deri më 17 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
Deri më 27 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja.
Ndërsa deri më 7 tetor 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare.
Nga KQZ-ja kanë thënë se janë në fazën finale të përgatitjeve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, me qëllimin kryesor garantimin e transmetimit në kohë dhe pa probleme të rezultateve preliminare, pas sfidave që shoqëruan procesin zgjedhor të mëparshëm në shkurt të këtij viti.