Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, mori pjesë në tubimin në Dragash të enjten mbrëma, duke i dhënë mbështetje kandidatit për kryetar të komunës nga kji parti, Shaban Shabanin, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në fjalimin para qytetarëve, Krasniqi theksoi se Dragashi meriton ma shumë dhe ma mirë.
“Prandaj më 12 tetor, qytetarët e Dragashit kanë një zgjedhje të qartë: të mbeten në të njëjtën rrugë të dështimit, apo të hapin një kapitull të ri me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Shaban Shabanin. Dhe kjo është arsyeja pse sot, si kryetar i PDK-së, jam krenar të them: alternativa për Dragashin ka emër e mbiemër – Shaban Shabani! Ai nuk do të mbyllë dyert e komunës, por do t’i hapë ato për çdo qytetar. Nuk do të ndajë njerëzit sipas partive, por do t’i bashkojë ata për të ardhmen. Nuk do të merret me propagandë, por me punë të ndershme. Me Shaban Shabanin, Dragashi do të ketë një kryetar që e di se pushteti nuk është privilegj, por përgjegjësi. Një kryetar që e di se qytetari nuk është spektator, por partner. Një kryetar që e di se e ardhmja ndërtohet me punë, me ndershmëri dhe me guxim”, ka thënë kryetari i PDK-së.
Në fund të fjalës së tij, Krasniqi u bëri thirrje qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për ndryshimin, duke thënë:
“Më 12 tetor, fleta juaj e votimit ka një numër që përfaqëson ndryshimin: 191. Me këtë numër, ju votoni për PDK-në. Me këtë numër, ju votoni për Shaban Shabanin. Me këtë numër, ju votoni për një Dragash më të zhvilluar. Sepse me Shaban Shabanin, do ta bëjmë ‘Ma Mirë’”, shtoi ai.
Nga ana e tij, kandidati për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, paraqiti vizionin e tij për të ardhmen e komunës.
“Angazhimi im është i qartë: Arsim modern, ku fëmijët tanë të përgatiten për të ardhmen. Shëndetësi me dinjitet, ku secili qytetar të marrë kujdesin që e meriton. Bujqësi e blegtori të fuqizuara, sepse toka dhe bagëtia janë gjaku i kësaj treve. Turizëm të zhvilluar, që bukuritë e Sharrit të mos mbesin vetëm fotografi, por të kthehen në ekonomi për secilën familje”, u shpreh Shabani.
Dragashi udhëhiqet nga Bexhet Xheladini i LDK-së.
