Lista Serbe ka thënë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e saj për zgjedhjet lokale të tetorit, është “i paligjshëm dhe diskriminues”. Nga ky subjekt thanë se do të dorëzojnë ankesë për këtë vendim.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për media ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se vendimi u mor për shkak të interesave të tij.
“Është e qartë se Kurti dhe anëtari i tij në KQZ, para së gjithash mendoj për Alban Krasniqin, bashkëshortin e [ministres në detyrë të Drejtësisë] Albulena Haxhiut, nuk mund t’ia falin Listës Serbe faktin që ajo nuk u zgjodh në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Ky reagim i Albin Kurtit është, para së gjithash, për të fituar pikë të lira politike. Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore që janë të nevojshme, me qëllim që para së gjithash të sigurojmë certifikimin e të gjithë kandidatëve, si për kryetarë komunash, ashtu edhe për asamblistë”, ka thënë Ellek.
Igor Simiq nga Lista Serbe ka shtuar se ankesa ndaj vendimit të KQZ-së është shkruar dhe se do t’i dërgohet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Bashkë me ankesën do t’i bashkëngjisim të gjitha dëshmitë që flasin në favor të faktit se kandidatët e Listës Serbe për kryetarë komunash dhe asamblistë i kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për t’u vendosur në fletëvotimet në të cilat qytetarët do të votojnë në tetor të këtij viti”, tha Simiq.
Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.
PZAP-i e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.