Bytyçi: Muharremaj nuk qeveris, por sundon
Hamdi Bytyçi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Suharekës, ka akuzuar kryetarin Bali Muharremaj për udhëheqje prej sundimtari e jo qeverisje normale.
Ai madje e ka akuzuar edhe se nuk e shfaq se me çfarë logo kandidon për një tjetër mandat.
“Bali Muharremaj herë thotë jam LDK, herë PDK, e herë AAK. Sot konkurron dhe asnjëherë nuk e shohim me logon e AAK-së. Ky duhet të na tregojë se me çfarë logo kandidon. Në mandatin e parë mendoj se ka shkuar gjithçka në rregull. Në mandatin e dytë nuk ka qeverisur, ka sunduar. Të njëjtën e kemi edhe sot. Bali Muharremaj ka sunduar me kandidatët e vet apo punëtorët që i ka aty. Nëse dikujt i ka mbetur merak pse nuk është në vendin tim si pretendent për kryetar nga VV-ja... Kujt i ka mbetur merak nuk i kam faj”, ka thënë Bytyçi.
Ai më pas është përplasur me Dardan Berishën e PDK-së, të cilin e ka akuzuar për akuzat tash përderisa ka qenë në bashkëqeverisje me Muharremajn. E Berisha ka thënë se Bytyçi ka qenë për 20 vjet në udhëheqje, duke e ndërlidhur me postin e tij si drejtor i një shkolle.
Berisha: Ka gabime të jashtëzakonshme në investimet infrastrukturore në Suharekë
Dardan Berisha, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Suharekës në zgjedhjet e 12 tetorit, ka akuzuar qeverisjen e deritashme në këtë komunë për gabime në investimet infrastrukturore.
Ai ka thënë se vetëm punimet në shesh kanë treguar devijim të plotë nga projekti.
“Nëse kjo qeverisje ka me u mbajt mend për projekt madhështor është ai për sheshin, por edhe ajo punë nuk është bërë siç duhet. Është devijuar komplet projekti. Ka qenë dashtë 40 për qind gjelbërim, por s’është bërë”, ka thënë ai.
Berisha ka akuzuar kryetarin Bali Muharremaj se edhe në projektet e reja infrastrukturore janë detyruar të intervenojnë dy-tre herë me asfaltim apo rregullim të rrugëve.
“Infrastruktura është ndërtuar mbi bazën e parregullt. Ka gabime të jashtëzakonshme në infrastrukturë”, ka thënë ai.
Ndërtimin e çerdheve dhe shkollave në këtë komunë, Berisha i ka cilësuar si projekte të PDK-së.
Shala akuzon Muharremajn për cilësi të dobët të punimeve
Ardian Shala, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Suharekës, ka akuzuar kryetarin aktual Bali Muharremaj për cilësi të dobët të punimeve në mandatin që po mbaron.
Ai ka thënë se edhe raporti i auditorit ka konstatuar mosrealizimin e projekteve.
Me këtë rast, Shala ka publikuar fotografi të rrugëve të cilat sipas tij janë dëmtuar edhe pse sapo janë shtruar.
“Është diçka e tmerrshme se çfarë punë janë bërë. Këto janë të tashme, brenda një viti apo dy”, ka thënë ai.
Shala e ka akuzuar Muharremajn edhe për mosmbajtje të premtimit për furnizim me ujë në disa fshatra dhe në qendër të qytetit.
Muharremaj: Shumë punë janë kryer, por Suhareka po zgjerohet çdo ditë
Kryetari i Suharekës që synon edhe një tjetër mandat nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj, ka thënë se deri tash ka kryer “shumë punë”, por sipas tij ka ende punë sepse “Suhareka po zgjerohet çdo ditë”.
“Janë kryer shumë punë në infrastrukturë, çerdhe, shkolla, salla sportive, por sot Suhareka është duke u zgjeruar çdo ditë. Ka nevojë për lagje të reja, ujë, kanalizim, infrastrukturë, ka nevojë për çerdhe e shkolla dhe zonë industriale”, ka thënë Muharremaj në debatin për Suharekën në KTV.
Ai ka thënë se ndër projektet që janë nisur e s’kanë përfunduar në këtë mandat ka qenë ai i stadiumit, i ndërtimit të objektit të EkoTherandës dhe shkollën “7 Marsi”.
Në mandatin e ri ai ka premtuar dhjetë projekte në vlerë rreth 28 milionë euro.