41.800 euro është shuma e gjobave ndaj partive që i ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për ankesa dhe Parashtresa për periudhën e deritashme të fushatës zgjedhore, në bazë të llogaritjes së KOHËS.
Shumica e ankesave kanë të bëjnë për shkelje të Kodit të Etikës.
Kjo shumë është shumë më e ulët sesa për zgjedhjet e përgjithshme, kur në një rast, vetëm brenda një dite ishin dhënë gjoba në vlerë prej 75.500 eurosh.
Shumë nga këto gjoba janë dhënë pas ankesave të subjekteve të ndryshme për gjuhë denigruese, fyese apo urrejtëse.
Rekordin për gjobën më të madhe të këtyre zgjedhjeve e mban Iniciativa Qytetare për Skenderaj që udhëhiqet nga Sokol Haliti.
Kandidati për kryetar të Skenderajt, Sokol Haliti, është gjobitur me 10.000 pasi e ka quajtur kriminel, shok i Radoiçiqit, bandit e me shumë emra të tjerë kundërkandidatin e tij, Sami Lushtaku.
Haliti është gjobitur tri herë e në vendimin e fundit PZAP-ja konstatoi se gjuha e tij ndaj kundërkandidatit nxit dhunë.
“Përdorimi i kësaj gjuhe nga Iniciativa Qytetare për Skenderaj, kandidati Sokol Halili, sipas Panelit është shkelje e etikës zgjedhore dhe standardeve të sjelljes në fushatë zgjedhore. Sjellja e tillë minon procesin demokratik dhe promovimin e zgjedhjeve të lira e të drejta. PZAP-ja me rastin e shqiptimit të gjobës ka marrë për bazë kontekstin se deklaratat janë bërë në kohën e fushatës zgjedhore dhe se nxit dhunë dhe urrejtje politike”, thuhet në vendimin e fundit të PZAP-së për Halitin.
Deri në fund të fushatës ka mbetur edhe një javë.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.