Zgjedhjet lokale

Meholli: 16 milionë euro të Vushtrrisë kanë përfunduar në xhirollogaritë e Skenderajt

Kandidati për kryetar të Komunë së Vushtrrisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Sylejman Meholli ka akuzuar kandidatin e PDK-së, Ferit Idrizin se gjatë mandatit të tij 16 milionë euro i ka dërguar nëpër kompanitë e Skenderajt duke i anashkaluar ato të Vushtrrisë.

Meholli në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV, tha se po të merreshin tenderët nga kompanitë e Vushtrrisë, do të ishte një infuzion ekonomik për qytetarët e kësaj komune.

“16 milionë euro të Komunës së Vushtrrisë në katër vite të qeverisjes së Ferit Idrizit kanë përfunduar në xhirollogaritë e Skenderajt, oligarkëve të Skenderajt të cilët i kanë marrë tenderët milionësh të Komunës së Vushtrrisë. 16 milionë nga 24 milionë euro përafërsisht investime kapitale kanë përfunduar në kompanitë e Skenderajt. Mbi 10 milionë euro ka vetëm “Ileja Group” tendere të Komunës së Vushtrrisë. Tash, qytetarë të Vushtrrisë, mund ta imagjinoni çfarë infuzioni ekonomik do të ishin po të mbeteshin ato 16 milionë në kompanitë e Vushtrrisë, të cilat do të bëheshin më të fuqishme, do të punësonin më shumë të rinjë, do të nxirrnin nga asistenca shumë familje”, deklaroi Meholli.

Meholli poashtu tha se shumë kompani i janë ankuar atij për padrejtësitë që po u bëhen dhe se kompania e cila fitoi këto tendere madje ishte edhe më e shtrenjtë për dy milionë euro.

Në procesin e balotazhit më 9 nëntor, Sylejman Meholli nga Lëvizja Vetëvendosje, garon kundër Ferit Idrizit të PDK-së. Meholli është në koalicion me LDK-në në këtë komunë, gjegjësisht Xhafer Tahirin, koalicion i cili nxiti shumë reagime nga LDK-ja e cila e quajti vendim individual të Tahirit për bashkëpunim.


Meholli: Ferit Idrizi nuk do të mund t’i marrë as votat e rundit të parë

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Sylejman Meholli i cili është në balotazh me kandidatin e PDK-së, Ferit Idrizin, ka deklaruar në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV, se Idrizi nuk do të mund t’i marrë as votat e raundit të parë.

Meholli poashtu thotë se kundër-kandidati i tij nuk ka qenë vetëm as në rundin e parë duke e akuzuar se ka marrë votat e Listës Serbe për kryetar.

“Ai nuk ka garuar i vetëm. Në rundin e parë ka votat për kryetar nga Lista Serbe. Ne kemi arritur marrëveshjen e bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila ka rreth 20% dhe kur i bëjmë bashkë përqindjet ne jemi mbi 50%. Poashtu Ferit Idrizi e ka diferencën sepse që në rundin e parë nuk ka garuar vetëm, ai ka votat për kryetar nga Lista Serbe. Poashtu ka marrë edhe votat e AAK-së në garën për kryetar sepse ata kanë hequr dorë nga kandidati i tyre. Prandaj Ferit Idrizi në rundin e dytë nuk do t’i marrë as votat e rundit të parë, ndërkohë që ne bashkë me koalicionin tonë fitues, me partnerët tanë të Lidhje Demokratike të Kosovës do të dalim fitues sepse sa herë që jemi bërë bashkë, në Vushtrri kemi ndërruar pushtetin. Kështu ka qenë edhe në vitin 2017 e do ta bëjmë sërish”, deklaroi Meholli në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”.

I pyetur në lidhje me reagimet e LDK-së ndaj kryetarit të degës në Vushtrri, Xhafer Tahiri, pas arritjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje atje, Meholli tha se LDK-ja qëndron e unifikuar në Vushtrri dhe se edhe në tubimin hapës të fushatës për balotazh, ishin të gjithë asamblistët e përkrahësit e tyre. Koalicioni me LDK-në nuk e gjeti mbështetjen e Kryesisë së kësaj partie. 

Sipas rezultateve të rundit të parë, Idrizi i PDK-së pati 45.24% apo 13.799 vota, ndërsa Meholli pati 30.81% apo 9.399 vota.