Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar PDK-në duke thënë se me akuzat për vjedhje votash në Mitrovicë, po kërkon shfajësim për dështim.
Sipas tij vjedhja e votave ka ndodhur nga PDK-ja në kohën kur LVV-ja nuk ka qenë në garë zgjedhore.
“Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së. Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet ‘kapeni hajnin’, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë. Partia që do të hyjë në histori se i nxori simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin. Turp!”, ka shkruar Murati në Facebook.
Deputeti i LVV-së ka thënë se tash e sa vite Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë sipas tij, merr edhe lëvdata nga ndërkombëtarët.
Ai ka vlerësuar se një meritë e madhe për këtë i shkon partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, me komisionerët dhe vëzhguesit e saj, të cilët siç ka thënë ai, ndër vite kanë mbrojtur votën dhe integritetin e zgjedhjeve qoftë edhe me trupat e tyre.
“Këtë meritë tashmë na e kanë pranuar publikisht edhe kundërshtarët tanë politikë”, ka shkruar Murati.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.
Në njoftim është thënë se ka pasur pretendime për manipulim me fletëvotime dhe do të pritet deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që i ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar numrat e ndryshëm serikë në disa fletëvotime.
Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do të dorëzojë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me dyshimet për manipulim të votave në Mitrovicë.