Zgjedhjet lokale

Partive u kërkohet të përmbahen nga gjuha e urrejtjes gjatë fushatës zgjedhore

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit nis zyrtarisht të shtunën. Në shoqërinë civile u kanë adresuar thirrje partive politike që të zhvillojnë fushatë të qetë dhe korrekte, si dhe që të tregojnë përmbajtje nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes. E njohës të pushtetit lokal kanë theksuar se gjatë zgjedhjeve lokale pritet që mbi 20 komuna të shkojnë në balotazh

Subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit do ta nisin  zyrtarisht të shtunën fushatën elektorale.

Gjatë 30 ditëve sa do të zgjasë kjo fushatë, hulumtues dhe monitorues të procesit elektoral nga radhët e organizatave dhe të shoqërisë civile u kanë kërkuar kandidatëve për kryetarë komunash dhe për asamble komunale që të zhvillojnë garë korrekte.

Bekim Salihu, analist në Institutin GAP, ka shprehur pritjen që fushata për zgjedhjet lokale të jetë e qetë dhe e rregullt, “për dallim nga fushata e zgjedhjeve të përgjithshme, që u karakterizua me gjuhë nxitëse e denigruese mes kandidatëve”.

“Mund të ketë specifika të caktuara në komuna të caktuara. Veçmas kjo mund të manifestohet në Drenas, Mitrovicë, mund të manifestohet të komunat e veriut të Kosovës. Pra, mund të ketë disa komuna ku gjuha mund të jetë e papërshtatshme mes kandidatëve, për shkak të specifikave politike e të tjera që ekzistojnë në këto lokalitete. Por, në tërësi pritjet e mia janë që gara do të jetë korrekte, fushata do të jetë e qetë, nuk do të ketë incidente dhe nuk do të ketë shumë elemente që mund të karakterizohen jodemokratike e joligjore”, ka deklaruar Salihu.

Edhe Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka bërë thirrje që partitë politike të përmbahen nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe asaj nxitëse gjatë fushatës, teksa ka rekomanduar që ato të përqendrohen te prezantimi sa më i mirë para qytetarëve i projekteve që i kanë përgatitur për qeverisjet e synuara komunale.

“Të mos ketë gjuhë të urrejtjes, gjuhë nxitëse, sulme ndaj gazetarëve ose sulme ndaj autoriteteve apo organeve të pavarura kushtetuese në vend. Le të fokusohet gara dhe krejt procesi zgjedhor brenda parametrave politikë, që janë programet qeverisëse në komunat e caktuara dhe normalisht t’u jepet hapësirë qytetarëve që të vlerësojnë korrekt programet, projektet e partive politike që i aplikojnë secila në komunat ku garojnë”, ka theksuar ai.

Megjithëqë fushata elektorale ka nisur zyrtarisht të shtunën, partia fituese e zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e ka organizuar tubimin hapës të saj gjatë së premtes.

E lidhur me nisjen e fushatës para afatit të përcaktuar ligjor, Bugaqku ka theksuar se subjektet mbeten pa mundësi të gjobitjes potenciale shkaku i mungesës së një kornize ligjore.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ai për Zgjedhjet Lokale, si dhe rregullativa nënligjore e (Komisionit Qendror Zgjedhor) KQZ-së, që është në fuqi, nuk është se përcakton kufizime sa i përket mbajtjes së tubimeve politike apo publike para fushatës zgjedhore. Që i bie që, ligjërisht as PZAP (Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa), as KQZ-ja nuk do të mund të ndërmarrin ndonjë veprim sa u përket veprimeve që mund të ndodhin sot, ose sjelljes së partisë politike në fjalë”, ka thënë Bugaqku.

Më 12 tetor, votuesit me të drejtë vote në të gjithë Kosovën dhe nga diaspora do të mund të zgjedhin të preferuarit e tyre për kryetarë të komunave dhe për asamblistë në kuvende komunale.

Por analisti i GAP-it, Salihu, nuk ka shprehur pritje që gara lokale të përmbyllet në ditën e 12 tetorit, teksa e ka paralajmëruar mundësinë që në shumicën e komunave të ketë votime balotazhi.

“Nga 38 komuna të Kosovës, pritjet e mia janë që së paku në 22 komuna të Kosovës do të ketë balotazh. Ndërkaq në komunat e tjera do të kalohet në rundin e parë. Keni parasysh, këtë numrin përtej 22-shit e karakterizojnë edhe komunat e udhëhequra nga komunitetet, të cilat natyrisht që në shumë raste kanë kaluar në rundin e parë, ndërkaq vetëm 6-7 komuna shqiptare mund të kalojnë pa balotazh”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, të drejtë vote do të kenë mbi 2 milionë 69 mijë qytetarë. Prej tyre, 2 milionë e 25 mijë e 105 qytetarë do të votojnë brenda Kosovës, ndërsa 43 mijë e 993 me postë. E procesi zgjedhor do të organizohet në 938 qendra të votimit, me gjithsej 2 mijë e 625 vendvotime.