Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, Iniciativën Qytetare për Skenderaj dhe partinë Nova Demokratska Stranka të Emilia Rexhepit, për shkelje gjatë fushatës zgjedhore.
Për PDK-në u ankua Lëvizja Vetëvendosje, si shkak i gjuhës së përdorur nga kandidati për kryetar të Skënderajt nga PDK, Sami Lushtaku.
Lushtaku në një tubim me qytetarë më 19.09.2025 citohet të ketë përdorur gjuhë denigruese, ku mes tjerash kishte thënë: “Qeveri më të poshtër, një Qeveri më mashtruese, Qeveri më antikombëtare nuk besoj që ka me pasë Kosova”.
Fjalimi i tij ishte publikuar edhe në rrjete sociale.
Për këtë, PDK kishte deklaruar se gjuha e Lushtakut është kritikë ndaj Qeverisë si institucion e jo individëve që e përbëjnë atë.
Kjo parti ka shtuar se kritika ndaj institucioneve është pjesë e zakonshme e debatit politik.
“Kjo është një shprehje e mendimit të tij në lidhje me veprimet e këtij institucioni dhe nuk ka për qëllim të ofendojë ose të dëmtojë individët që mund të jenë pjesë e kësaj qeverie. Kritika ndaj qeverisë si institucion është e lejuar dhe madje e nevojshme në një sistem demokratik, ku individët dhe figurat publike mund të shprehin mendimet e tyre për politikat dhe vendimet që merren në nivel qeveritar” – kishte deklaruar PDK mes tjerash.
Megjithatë, PZAP e konsideroi ankesën si të bazuar, duke ardhur në përfundim se gjuha e përdorur është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Sipas Panelit nga përmbajtja e videos shihet se në veprimet e kandidatit Sami Lushtaku nga subjekti politik PDK, kandidat për kryetar komune të Skenderaj, ka përdorë gjuhë fyese, nxitëse dhe urrejtëse kundrejt të tjerëve dhe se kjo konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore, konteksti dhe masa që i është drejtuar ka për qëllim të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe të përçarjes” – thuhet mes tjerash në vendimin e PZAP-së.
Për këtë, PDK-ja u gjobit me 5 mijë e 500 euro.
https://smaa.rks-gov.net/documents/48579.pdf
Ndërsa, më 21.09.2025 PDK ishte ankuar në PZAP për LDK-në. Në ankesë, PDK ka deklaruar se kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK, Përparim Rama ka publikuar një video të titulluar “Ekskluzive! Sonte në orën 20:00 në T7”, në video në të cilën ai shfaqet në zyrën e tij në Komunën e Prishtinës duke shpërndarë informacione rreth programit të tij zgjedhor.
PDK ka pretenduar se Rama ka shkelur ligjin duke përdorur institucionin për qëllime të fushatës, me ç’rast edhe ka bashkëngjitur videon në fjalë. LDK nuk ka komentuar pretendimet e PDK-së.
PZAP ka vendosur që përveç gjobës prej 2 mijë e 500 euro të detyrojë edhe Ramën që ta largojë videon në fjalë nga rrjetet sociale.
Ky institucion ka gjetur se përmes shfrytëzimit të institucionit publik, Rama ka bërë shkelje të rregullave zgjedhore.
“z. Përparim Rama ka shfrytëzuar hapësirat e brendshme të komunës së Prishtinës gjatë fushatës zgjedhore me qëllim të përfitimit të votave. Rrjedhimisht sipas vlerësimit të panelit veprimet e kandidatit për kryetar të Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama, bien ndesh me dispozitën e nenit 36 paragrafi 1 të Ligji Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, dhe Rregullës zgjedhore nr.07/2024” – thuhet mes tjerash në vendimin e PZAP-së.
Pra, PDK u gjobit me 5 mijë e 500 euro, kurse LDK me 2 mijë e 500. Të dyja për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes së Subjekteve Politike.
https://smaa.rks-gov.net/documents/48582.pdf
Nga PZAP-ja me 3 mijë euro është dënuar edhe subjekti politik i Emilja Rexhepi, Nova Demokratska Stranka (NDS), pas ankesës së Duda Baljes nga partia Social Demokratska Unija (SDU).
Sipas ankesës së Baljes, me datën 19.09.2025, Rexhepi e ka ofenduar publikisht duke e mohuar përkatësinë e saj kombëtare, se është boshnjake e jo gorane.
“Me këtë ajo ka fyer jo vetëm mua personalisht, por edhe tërë komunitetin boshnjak në Republikën e Kosovës, duke vënë në pikëpyetje identitetin, barazinë dhe ekzistencën politike të tij. Është e rëndësishme të theksohet se znj. Redžepi ka vazhduar me ofendime edhe pasi moderatorja e debatit e ka paralajmëruar të ndalet”, thuhet në ankesën e Baljes.
Rexhepi nga ana tjetër ka deklaruar se gjatë debatit të mbajtur më 19.09.2025 në RTK, Balje nuk ishte e pranishme në debatin e përmendur, as nuk mori pjesë në diskutim.
“Deklarata ime është plotësisht në përputhje me deklaratat e saj publike mbi identitetin e saj personal, duke përfshirë edhe një paraqitje në një mbledhje në Maqedoninë e Veriut gjatë fushatës elektorale në Shoqatën e Goranëve në Shkup, për zgjedhjet qendrore, ku ajo thotë se e la partinë DSB (Koalicija Vakat) për arsyen se ata e fyen prejardhjen e saj gorane, për të cilën ajo është krenare. Rreth rëndësisë së identitetit goran, komuniteti goran është një kategori kushtetuese, dhe të jesh me prejardhje gorane apo nga çdo prejardhje tjetër është diçka krenare, e ndershme dhe e sinqertë”, thuhet në ankesën e Rexhepit sipas shkresës së PZAP-së.
Sipas vlerësimit të panelit pavarësisht nga deklarata e dhënë në Maqedoninë e Veriut gjatë fushatës elektorale në Shoqatën e Goraneve në Shkup nga Dude Balje për identitetin personal, kjo nuk legjitimon përdorimin e gjuhës së tillë marrë për bazë faktin se Dude Balje është kryetare e subjektit politik që është e certifikuar në KQZ si parti që i mbron interesat e komunitetet Boshnjakë në Republikën e Kosovës.
https://pzap.rks-gov.net/wp-content/uploads/2025/09/6.ZL_.Anr_.48-2025-Vendim.pdf
Gjithashtu edhe Sokol Halili nga partia “Iniciativa Qytetare për Skenderaj” është gjobitur nga PZAP-ja me 5 mijë e 500 euro, pas ankesës së PDK-së në Skënderaj se Halili më datën 20.09.2025, në rrjetin social Facebook, ka postuar një shkrim që përmban gjuhë kërcënuese, fyese dhe nxitje të urrejtjes ndaj kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj Komune, Sami Lushtaku, ku ndër të tjera ka përdorur shprehjet si: "kriminel", "terrorist", "tiran", “shok i Milan Radojciqit”.
Përveç gjobës, paneli vlerëson se në rastin konkret kandidati, përkatësisht subjekti politik Iniciativa Qytetare për Skenderaj duhet që ta largojë postimin nga rrjeti social Facebook, të datës 20.09.2025, duke shtuar se këto shprehje jo vetëm që përbejnë fyerje personale, por përbejnë edhe elemente të qartë të gjuhës së urrejtjes, të cilat mund të konsiderohen si nxitje ndaj dhunës dhe përçarje mes qytetarëve.
https://pzap.rks-gov.net/wp-content/uploads/2025/09/6.ZL_.Anr51-2025-Vendim.pdf