Jeton Raka, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kaçanikut, ka akuzuar kundërkandidatin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Sabedin Vishi, për punësim të familjarëve të tij në këtë komunë.
Në debatin e zhvilluar të enjten në “KTV”, Raka ka thënë se Vishi e ka punësuar gruan e tij dhe familjarë të tjerë në komunë gjatë kohës sa ishte kryetar i Rinisë Demokratike.
“Disa prej kandidatëve këtu, më saktësisht nënkryetari nuk e ka angazhimin në shërbim të qytetarit dhe mision. Qysh nga koha e angazhimit të tij si kryetar i Rinisë Demokratike së pari e ka punësuar veten, më pas anëtarët e familjes, bashkëshorten, d.m.th vetëm në komunën e Kaçanikut”, ka thënë ai.
I pyetur nga Vishi se kur janë punësuar, ai përsëriti duke thënë në kohën kur ka qenë kryetar i Rinisë Demokratike.
“Vetëm për një vit e gjysmë kam arritur t’i buxhetoj 21 milionë euro për komunën e Kaçanikut, bashkë me mbështetjen e Qeverisë Kurti kemi arritur vetëm në kuadër të një ministrie”, ka shtuar Raka.
