Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut është ndërprerë numërimi i votave të balotazhit të zhvilluar të dielën për kryetar të Komunës së Mitrovicës. Ndonëse nuk ka deklarim publik nga institucionet përgjegjëse, burime të Kohës bëjnë me dije se numërimi është ndërprerë për shkak të dyshimeve për manipulim me vota.
Ky burim i ka thënë Kohës se në qendër kanë qenë edhe Policia dhe Prokuroria.
KOHA ka provuar të kontaktojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve por askush nuk është përgjigjur. Policia ndërkaq ka referuar që përgjigje të marrim nga Prokuroria, porse as këta të fundit nuk janë përgjigjur.
Ndërkaq drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në këtë komunë, Ferdi Kadriu ka thënë përmes një postimi në Facebook se gjatë ndërrimit të paradites, janë evidentuar fletëvotime me numër serik të ndryshëm nga klasa përkatëse.
Sipas tij, aktualisht është në detyrë ndërrimi i dytë, por procesi është ndërprerë nga organet e rendit dhe të drejtësisë
“Dje përfundoi procesi i votimit në qytetin tonë, ndërsa sot nisi rinumrimi i kutive të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit. Gjatë ndërrimit të paradites, janë evidentuar fletëvotime me numër serik të ndryshëm nga klasa përkatëse. Aktualisht është në detyrë ndërrimi i dytë, por procesi është ndërprerë nga organet e rendit dhe të drejtësisë. Numëruesit janë larguar nga salla dhe puna është pezulluar. Kjo situatë është serioze dhe meriton vëmendjen e të gjithëve. Vullneti i qytetarëve është themeli i zgjedhjes së pushtetit lokal dhe ky vullnet nuk guxon të deformohet. Që nga fillimi i fushatës e deri tek numri i pazakontë i votuesve në balotazh, janë ngritur dyshime të forta të cilat sot po marrin formë konkrete”, ka shkruar ai.
Lidhur me këtë ka shkruar më herët edhe deputeti i PDK-së, Artan Behrami. Ai ka thënë se fitorja e Faton Pecit në Mitrovicën e Jugut është e fabrikuar.
Deri më tash në qendrat komunale për numërim në Mitrovicë janë numëruar 25 nga gjithsej 105 vendvotime.
Faton Peci nga Vetëvendosja sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka dalë fitues përballë kandidatit nga PDK-ja, Arianit Tahiri, me epërsi prej 2315 votave.
Në momentin e ndërprerjes së numërimit dhe verifikimit të votave në QKN Mitrovicë, Faton Peci Lëvizja Vetëvendosje prin me 50.19% ose 4.186 vota, ndërsa Arian Tahiri Partia Demokratike e Kosovës – PDK ka marrë 49.81% ose 4.154 vota.
Në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht, ato të personave me aftësi të kufizuar dhe votimi jashtë Kosovës.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet finale për zgjedhjet në 18 komuna do të shpallen më së largu pas 10 ditësh, ndërsa certifikimi i rezultateve për kuvende komunale do të bëhet pasi të kenë përfunduar të gjitha shqyrtimet e ankesave në PZAP dhe që mund të përfundojnë eventualisht edhe në Gjykatën Supreme.
KQZ-ja: Disa prej fletëvotimeve janë shtypur me gabim teknik
Komisioni Qendror i zgjedhjeve përmes një komunikate për media pas ndërprerjes së numërimit të votave në Mitrovicë ka thënë se bazuar në informatat e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit.
Në lidhje me këtë çështje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast.
“Është me rëndësi të theksohet se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë. Për më tepër, për secilin vendvotim, fletëvotimet e shtypura kanë numra serikë të shënuar në pjesët amë të fletëvotimeve, të cilët përputhen plotësisht me numrin e fletëvotimeve të pranuara dhe të verifikuara deri më tani në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve siguron publikun, votuesit dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin zgjedhor se ky gabim teknik nuk ndikon në asnjë mënyrë në integritetin e procesit të votimit apo të numërimit të votave, pasi fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që garantojnë se ato nuk mund të falsifikohen apo kopjohen”, thuhet në njoftim.
PDK-ja s’pranon të kthehet në Qendrën e Numërimit: Nuk do ta shkelim ligjin
Jahir Sumiqi, kryesuesi i PDK-së në QKN Mitrovicë e Jugut, tha se prokurori i rastit Njazi Rexha ka kërkuar vazhdimin e numërimit, por PDK-ja dhe partnerët e koalicionit të saj do të vazhdojnë me bojkotimin e procesit dhe se sipas tij, nuk do të shkelin ligjin.
Sumiqi përmendi se më shumë se 20 vendvotime kanë lëvizur nga klasa në klasë apo nga vendvotimi në vendvotim, të cilat fletëvotime në shumicën e rasteve i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje.
“Janë numëruar 35 kuti të votimit ku prej tyre mbi 20 vendvotime kanë lëvizur nga klasa në klasë, apo nga vendvotimi në vendvotim. Është një inxhinierik i organizuar që kemi hasur prova të argumentuara gjatë numërimit të votave. Janë gjetur mbi 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serikë, pra numri serik dallon prej numrit të vendvotimit, pra kryesisht fletëvotimet kanë lëvizur nga shkolla “Migjeni” në “Abdullah Shabani” dhe nga Universiteti në shkollën e Zhabarit”, ka thënë Sumiqi.
Ai shtoi se ka edhe fletëvotime me nga dy vula dhe fletëvotime ku nuk përputhet numri serik i fletëvotimit me atë të vendvotimit.
“Fletëvotimet që janë gjetur të cilat kanë lëvizur nga vendvotimit në vendvotim, kryesisht rreth 70-80 për qind e tyre janë të VV-së. Janë edhe disa fletëvotime edhe me vota të PDK-së, por janë pak. Ne dyshojmë që ato janë bërë për të mbuluar gjurmët e këtij inxhinieringu të paparë ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë. Numri serik i fletëvotimit nuk përputhet me numrin e vendvotimit. Mua më doli një nga vendvotimet me numër serik ndryshe, derisa unë po numëroja një vendvotime me numër ndryshe. Ka fletëvotime që kanë nga dy vula, pra të cilat janë të vulosura nga dy herë”, ka thënë Sumiqi.
Ndërkohë brenda në ambientet e QKN-së ndodhen vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, por që procesi i numërimit nuk dihet nëse do të vazhdojë.
Bajqinovci: PDK-ja po përpiqet që përmes Prokurorisë ta kthejë rezultatin në Mitrovicë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka thënë se PDK-ja pas humbjes në Mitrovicë po përpiqet ta kthejë rezultatin përmes prokurorisë.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ka marrë fund kjo punë dhe se sipas tij, qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre.
“Zakonisht kur humbin, e kërkojnë shpëtimin te Gjykata Kushtetuese ose te prokuroria. Por këtë herë, as sistemi nuk mund t’ua kthejë atë që populli ua ka marrë”, ka shkruar ai.