Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, është zotuar se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, pa dallim.
Sipas një njoftimi të PDK-së ai të dielën në një tubim të mbajtur në Shipol të Mitrovicës ka thënë se do t’i përfaqësojnë dhe do t’i mbrojmë interesat e secilit qytetar.
“Mbështetjen dhe besimin që po na japin qytetarët e Mitrovicës, e marr dhe e ndjej si investim ndaj një gjenerate të re që janë duke e krijuar dhe forcuar. Kjo për ne është nder dhe privilegj, por është edhe përgjegjësi e madhe që këtë besim dhe investim ta mbrojmë, ta mbajmë dhe ta kthejmë me punë, me përkushtim, me respekt”, citohet të ketë thënë Tahiri.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Tahiri, do ta vazhdojë rrugën e Bedri Hamzës, i cili sipas tij, “për dekada ishte shembull i profesionistit të palodhur, mikut besnik dhe shërbyesit publik të pakrahasueshëm”.
Sipas njoftimit Krasniqi është shprehur i bindur se Tahiri do t’i fitojë zgjedhjet e 12 tetorit.
“Bedriu është njeri i vlerave dhe është i pakompromis në standarde dhe nivel, andaj nuk është aspak çudi që ai e ka mbështetur e bashkë me juve e ka zgjedhur Arian Tahirin si pasardhësin e tij. Në këto katër vite, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, Mirovica tregoi se si mund të ecet përpara me një qeverisje kompetente, të ndershme e me duar të pastra. Tani është koha që këtë rrugëtim ta vazhdojmë e ta qojmë edhe më lart dhe personi që e garanton këtë është nënkryetari i Bedriut, kryetari i ardhshëm i Mitrovicës, Arian Tahiri. Andaj, më 12 tetor, PDK, 191, Arian Tahiri. Sepse do të jetë edhe ma mirë për Mitrovicën”, citohet të ketë thënë Krasniqi.
Ndërsa Hamza, kryetar aktual i Mitrovicës, ka kërkuar që mitrovicasit ta votojnë në mënyrë masive Tahirin.
“Flisni me miq, me shokë, me të gjithë që i njihni, mobilizohuni që në mënyrë solemne, në mënyrë masive, në mënyrë festive më 12 tetor, me dalë, me votu dhe me vulosë fitoren e PDK-së”, citohet Hamza në njoftimin e PDK-së.
