Kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Drenasit, Egzona Tërdevci, ka thënë se shumica e projekteve në këtë qytet janë kryer mbrapsht nga komuna.
Ajo në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – debati për Drenasin”, ka ironizuar me mënyrën e punës së Komunës, duke thënë se së pari shtrohet asfalti e më pas prishet për t’u shtrirë ujësjellësi.
“Shumica e projekteve bëhen mbrapsht: një herë bëhet asfalti, pastaj prishet asfalti për me u ndreq kanalizimi e me u shtri ujësjellësi. Në qeverisjen tonë, secili projekt që bëhet do ta ketë infrastrukturën e nevojshme nëntokësore”, ka thënë Tërdevci.
Ajo ka kritikuar Komunën edhe për investime të panevojshme. Ka marrë shembull sheshin e qytetit, që sipas saj është rinovuar për herë të katërt në pak vite.
“Çka e kemi përmendur ne si VV nga fillimi, është se prioretizimi i nevojave të qytetarëve është bërë gabim. Komuna e Drenasit ka investuar në një shesh për herë të katërt. Më 2023 është nënshkruar një kontratë për zgjerimin e ndërtimin e sheshit ‘Xhevë e Fehmi Lladrovci’ në vlerë 4.3 milionë euro. Kjo ishte kontrata fillestare, tani janë shtuar edhe rreth 430 mijë euro, për 10 përqindëshin e aneks-kontratës. Në një vend ku shumica e fshatrave nuk kanë ujë të pijes, ku nuk ka trotuare, nuk ka ndriçim publik, nuk ka kushte bazikë për jetesë, me u investu 4.3 milionë euro në një shesh që veç ka qenë i ndërtuar dhe nuk ka pasur ndonjë mangësi, për ne është gabim”, ka theksuar Tërdevci.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
