Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar pesë zgjidhjet e tij emergjente për kryeqytetin.
Zhbllokimi i trafikut brenda një viti e gjysmë është një prej pikave që ka paraqitur ai në ditën e nëntë të fushatës zgjedhore.
Tjerat kanë të bëjnë me rrugë të sigurta e lagje të pastra, si dhe kthimin e hapësirave publike “nga betoni te komuniteti”, e investime në teknologji, sport e kulturë.
Ismaili ka deklaruar se nëse fiton zgjedhjet e 12 tetorit, qeverisja e tij do të jetë e barabartë për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë partiake apo politike.
Ai ka shprehur gatishmërinë të bashkëpunojë me të gjithë pa dallim, vetëm që Prishtina të bëhet qytet funksional, i jetueshëm dhe me kushte dinjitoze për secilin qytetar.
Sipas tij, ndarjet partiake kanë qenë shkaku kryesor që për 25 vjet kryeqyteti ka mbetur në kaos dhe pa zgjidhje për problemet bazike.
“Nuk ka lagje e as qytetar i Prishtinës që do të mbeten prapa me mua si kryetar i Prishtinës. Do të punojmë bashkë përtej dallimeve politike për çdo lagje, çdo familje e çdo fshat të Prishtinës. Ndryshimi po vjen e pas 12 tetorit do t’ia nisim jetësimin e 5 zgjidhjeve për Prishtinën funksionale dhe për secilën lagje”, ka thënë Ismaili.
Uran Ismaili premton mbështetje për futbollistët e rinj
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili, ka vizituar klubin e futbollit “2 Korriku”, ku njofton se është takuar me lojtarët e rinj.
Ismaili kujton se përkrahja për sportin është e përfshirë në platformën e tij me pesë zgjidhjet për një Prishtinë të jetueshme.
“Prishtina e talentëve do të vazhdojë të nxjerrë yje në çdo lëmi sportive! Klubi i futbollit ‘2 Korriku’ është shembulli më i mirë i punës dhe përkushtimit. Gjatë vizitës time i sigurova se asnjëherë në Prishtinë nuk është shfrytëzuar potenciali i madh që ekziston. Prandaj, drejtuesve dhe futbollistëve të rinj u premtova se do ta rrisim kujdesin ndaj klubeve sportive dhe do t’i shtojmë investimet në infrastrukturë, si në qytet ashtu edhe në fshat,” tha Ismaili.
Plani i Ismailit për sportin përfshin përkrahjen financiare dhe infrastrukturore për klubet ekzistuese, ndërtimin e qendrave sportive multifunksionale në lagjet kryesore të kryeqytetit, si dhe krijimin e hapësirave të reja sportive qytetarët e sidomos të rinjt të kenë mundësi të zhvillojnë talentin dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
