Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën ka nisur publikimin e votave nga diaspora, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Në disa komuna veçse ka përfunduar procesi i numërimit të votave me postë.
Në Gjilan nga votat e diasporës, kur janë numëruar 85.71%, Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 687 vota, ndërsa Arbër Ismajli i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë 482 vota. Kjo komunë me shumë gjasë do të shkojë në balotazh, edhe pse Hyseni ishte shumë afër ta kryente në raundin e parë. Ka mbetur numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta.
Sipas rezultateve preliminare, Hyseni në total, bashkë me votat e diasporës, ka 22.140 vota apo 49.84%, ndërsa Ismajli i LDK-së ka 15.245 vota apo 34.29%.
Numërimi i votave të diasporës ka përfunduar edhe në Junik e Dragash. Të dyja pritet të shkojnë në balotazh. Në Junik, gara do të jetë mes Ruzhdi Shehut të LDK-së dhe Agron Kuçit të AAK-së. Në Dragash, Bexhet Xheladini i LDK-së do të jetë përballë Shaban Shabanit të PDK-së.
Numërimi ka përfunduar edhe në Shtime. Por s'do të ndryshojë rezultatin. Qemajl Aliu i LVV-së do ta udhëheqë edhe për katër vjet këtë komunë.
Kliko KËTU për të parë votat nga diaspora, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta