Kandidati i Vetëvendosjes për Skenderaj, Hysni Mehani, ka kritikuar kandidatin e PDK-së, Sami Lushtaku, se nuk ka platformë për ta marrë mandatin për qeverisjen e komunës.
Ai e ka kritikuar Lushtakun edhe se nuk po merr pjesë në debate me kandidatët e tjerë për kryetar të Skenderajt, e këtë Mehani ka thënë se po e bën sepse ka frikë.
“Lushtaku po e sheh veten që s’ka plan, nuk ka një platformë me të cilën do të qeverisë. Projektet që i ka premtuar e di që nuk mund t’i realizojë gjatë mandatit. Krejt buxheti, nëse e shohim planifikimin për 2026-27-28, do të merret me projektet e mandatit të kaluar. Qe 20 vjet Sami Lushtaku e qeverisë Skenderajn, Lionel Messi ia ka prurë Barcelonës nja 35 trofe dhe ka thënë u bë boll, Sami Lushtaku po do me ia nisë sërish prej fillimit. Nuk ka platformë, ka keqqeverisë, ka korrupsion të madh dhe nuk mund të përballet me faktin. Sami Lushtaku mund të ikë prej meje, dhe jam i bindur që po ikë për këtë, por nuk mund të ikë nga demokracia si procedurë kur del e thotë fjalën publike në bazë të cilës qëndron gjatë m,adantit qeverisës. Lushtaku po del në televizione, por po del i vetëm dhe po mban monologje”, ka thënë ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.
Mehani ka shtuar se Lushtaku duhet të respektojë rregullat e një shteti, gjë që sipas tij nuk po e bën.
“Marrëveshjet që bëhen në të nëntin kat pa përfaqësimin e qytetarëve nuk do të respektohen sepse qytetarët e Skenderajt kanë integritet. Nuk mund të ulen dy vetë të mirren vesh çka do të ndodhë dhe me nda pushtetin. Gjithçkaje i vjen fundi dhe populli e ka një thënie, ‘zullumi këputet prej s’trashi’, e aty zullumi është trashë shumë”, përfundoi ai.
