Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aktivizohen grupet për kopjim në Testin e Maturës

Testi i matures

Pak ditë para se të mbahet testi i maturës, janë aktivizuar grupet në rrjetet sociale, në të cilat, gjatë viteve të shkuara, janë publikuar pyetjet dhe përgjigjet e testit që matë njohuritë e arsimit parauniversitar. Njohës të arsimit thonë se masat e ndërmarra nga institucionet, janë të pamjaftueshme për ta parandaluar kopjimin

Paralajmërimet për pyetjet që mund të bien në Testin e Maturës, i cili mbahet të shtunën, kanë nisur të qarkullojnë në grupe komunikimi në rrjete sociale.

Në vitet e shkuara, shumë maturantë u bënë pjesë grupeve të këtilla, ku u shpërndanë edhe pyetjet e përgjigjet e testit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Drejtori i Organizatës ETEA, Agon Ahmeti, thotë se grupet ripërtërihen çdo vit dhe se në disa raste janë identifikuar edhe prindër e mësimdhënës që kanë tentuar të ndihmojnë nxënësit të kopjojnë.

“Në i kemi identifikuar këto dhe e kemi ndarë këtë rast me akterët relevantë, me Ministrinë e Arsimit, por asnjëherë nuk kemi marrë ndonjë përgjigje ose ndonjë raport nëse është ndërmarrë ndonjë masë për t’u identifikuar tutje këta persona dhe për t’u ndërmarrë masa ligjore ndaj këtyre personave”, ka thënë Ahmeti.

Ministria ka paraparë gjoba për ata që ndihmojnë maturantët të kopjojnë.

Por, Ahmeti vlerëson se as me to nuk pritet të parandalohet kopjimi, meqë nuk u normua vendosja e pajisjeve në shkolla që bllokojnë qasjen në internet.

“E kam fjalën për nenin që i obligon institucionet me i pajis shkollat me pajisje të cilat e pamundësojnë futjen e valëve gjatë provimit të maturës shtetërore, e pamundësojnë qasjen në internet përmes telefonave, por që përkundër diskutimit dhe kërkesave që ishin në komision, megjithatë nuk u vendos ai nen”, ka thënë ai.

E, njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se fenomeni i kopjimit nuk lidhet vetëm me mungesën e kontrollit gjatë provimeve, por edhe me një mentalitet të rrënjosur prej vitesh në shoqëri.

“Vërtetë që kjo në radhë të parë kultivohet në familje, por nga ana tjetër edhe mos marrja e masave nëpër shkolla nga ditët e hershme ndikon që te fëmijët të krijohen shprehi të tilla. Për fat të keq ne shpeshherë kemi raste kur në provime të ndryshme kombëtare organizohen edhe familje... dhe këtu represioni që e ushtron ligji dhe masat që merr Ministria janë respektivisht të kufizuara kur bëhen organizime të tilla”, ka thënë Pupovci.

Në Ministrinë e Arsimit thanë se janë ndërmarrë masa shtesë për sigurinë e testit, përfshirë ndalimin e telefonave dhe monitorimin e procesit në qendrat e testimit.

Por, Ahmeti thotë se duhet masa tjera.

“Një masë më e duhur kish me qenë marrja e përkohshme e licencës ose e përhershme e licencës së mësimdhënësve, të cilët në një mënyrë ose tjetër e mundësojnë kopjimin gjatë provimit të maturës”, ka thënë ai.

Të shtunën testit të maturës pritet t’i nënshtrohen 19 mijë e 514 maturantë.