Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bajrami: Gjendja në shëndetësi e ka emrin korrupsion

Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se gjendja në shëndetësi në Kosovë e ka emrin korrupsion.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar një ditë më parë se ka marrë masa ndaj një numri punëtorësh pas raportimeve nga një qytetare lidhur me trajtimin që i është bërë në Klinikën e Pediatrisë. Ajo u ankua për trajtimin dhe për kushtet në spital.

Bajrami ka shkruar të martën në Facebook, se fajin për gjendjen në shëndetësi nuk e kanë mjekët dhe infermierët, por “korrupsioni”.

“Nëse doni ta dini çfarë shteti kemi, mos e gjykoni nga konferencat për media, nga shifrat që qeveritarët i prezantojnë çdo ditë e që kurrë nuk e përfshijnë inflacionin, as nga dy-tri korridore të renovuara në QKUK. Pyetni të sëmurët. Shkoni në Pediatri. Shkoni në Gjinekologji. Shkoni në Onkologji. Shkoni në Ortopedi dhe shihni listat e pritjes, ku për shkak të dështimit të tenderëve për furnizim me material, pacientët presin me vite për një ndërhyrje. Shkoni edhe në Emergjencë, por mos i fajësoni mjekët dhe infermierët. Ata punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe, pavarësisht gjithçkaje, vazhdojnë ta mbajnë në këmbë sistemin. Përgjegjësia nuk është e tyre. Pas gjashtë vjetësh me të gjitha nivelet e pushtetit në duar dhe me rreth 4 miliardë euro buxhet çdo vit, ta kesh shëndetësinë në këtë gjendje është turp. Dhe kjo gjendje nuk është rastësi. Gjendja në shëndetësi ka emër: emri i saj është  'korrupsion'”, ka shkruar ajo në Facebook. “Në shëndetësi pothuajse gjithçka kalon përmes tenderëve. Ka tenderë milionësh për pastrim, ndërsa menaxherët e kontratave të cilët vetë janë pa mbikëqyrje nënshkruajnë raporte se gjithçka është në rregull. Ka tenderë për çarçafë, por nëpër klinika pacientët duhet të shtrihen në gjakun e tharë të pacientëve paraprak, mungojnë edhe gjërat më elementare. Ka tenderë për ushqimin e pacientëve, ndërsa ofrohen  porcione që nuk vlerë as 2 euro  por paguhen shumëfish më shtrenjtë. Dhe kështu vazhdon: tender pas tenderi, shok pas shoku, deri te shoku i ngushtë i  kryesuesit të Komisionin për Shëndetësi, Albin Kurtit”.

Bajrami ka thënë se ka edhe mungesë të barnave edhe pse jepen miliona euro për furnizim.

Edhe QKUK-ja merr masa ndaj katër infermierëve dhe suspendon një punëtor teknik pas ankesës së një qytetareje Arbëri 17 o. më parë QKUK-ja merr masa ndaj katër infermierëve dhe suspendon një punëtor teknik pas ankesës së një qytetareje

Sipas saj, për gjendjen e rëndë në shëndetësi përgjegjësi mban pushteti dhe kryeministri Albin Kurti.

“Prandaj nuk duhet të habitemi me gjendjen që shohim sot. Klinikat përballen me mungesa të vazhdueshme, pacientët presin me muaj e me vite. Gjashtë vjet keqqeverisje. Gjashtë vjet korrupsion. Gjashtë vjet mashtrim. Rezultatet nuk mund të jenë ndryshe. Për këtë gjendje përgjegjësi mban pushteti që ka qeverisur. Shëndetsia si asnjë sektor tjetër pos ministrit ka një komision që udhëheqet nga vetë Albin Kurti. Sot gjendja në shëndetësi është alarm, sepse kur dështon shëndetësia, nuk dështon vetëm  qeveria, dështon shteti”, ka përfunduar Bajrami.