Hisen Berisha, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka qenë lëvizje paqësore gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Berisha ka thënë se LDK-ja ka pasur kurs politik paqësor, por s’ka vepruar si lëvizje e tillë. Këtu ka marrë për bazë marrëveshjen e ish-presidentëve të Kosovës dhe Shqipërisë, Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alija, për stërvitje në Shqipëri.
“Nuk ka pasur lëvizje paqësore në Kosovë asnjëherë”, ka thënë fillimisht ai, duke marrë shembuj se si zyrtarë të LDK-së gjatë luftës ishin bërë shefa shtabesh lokale në kuadër të UÇK-së. “Ka pasur kurs politik paqësor në emër të përgatitjes së terrenit për të bërë luftë të suksesshme e sensibilizim të botës për ta ditur problemin. Le ta dëgjojnë të gjithë, marrëveshja Rugova-Ramiz Alija për ushtrime a është paqësore a?”
Ai ka thënë se edhe Rambujeja, në të cilën Hashim Thaçi u caktua kryesues i ekipit të Kosovës tregon koordinimin e të gjithëve për një qëllim të vetëm.
“I vetmi dallim FARK – UÇK ishte rruga e mobilizimit”
Berisha po ashtu ka thënë se dallimi i vetëm midis UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) ka qenë rruga e mobilizimit.
“Ka qenë Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm. Kur kam hyrë në Ministri jam ulur para ministrit, kam mbushur formularin ku ishte stema e UÇK-së, këtu shënonte Ministria dhe në fund nënshkruhesha unë dhe zyrtari që e mbante formularin. Në atë periudhë ka pas në ministri më shumë uniforma të kuqe të Zvicrës, e në shtab ato të Gjermanisë, të gjelbra. Kemi pasur stema, në rresht kallash të Shqipërisë unë, kallash të Shqipërisë ai. Në uniforma kemi pasur një objektiv. Një parti-UÇK. Një politikë – me luftu për çlirim. Ai që flet kundër kësaj, i takon politikës nga Tirana e kah Perëndimi”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Berisha ka thënë se në vijë të frontit s’ka pasur dallime mes FARK-ut dhe UÇK-së. Ai ka thënë se duhet të ketë vepra nga autoritetet e sigurisë për çfarëdo deklarate të dhënë pas luftës, përfshirë ato se kush e ka vrarë kolonelin Ahmet Krasniqi.
“Na mbështetni nga ajri, për këmbësori jemi vetë”
Tek ka folur për luftimet në Koshare, ai ka kujtuar një deklaratë të komandantit Agim Ramadani dhënë luftëtarëve ndërkombëtarë, disa muaj para ndërhyrjes së NATO-s.
“E mbaj mend një moment. Vijnë oficerët e NATO-s që po vëzhgonin kufirin dhe mundësinë e ndërhyrjes me forca këmbësorie, në janar, shkurt e mars... E kishin orientuar kah Prizreni dhe Gjakova... kur erdhën në vëzhgim dhe panë edhe trupat tanë, për të kuptuar se si jemi... kjo para Koshares. E panë ku jemi dhe pastaj u ulëm e bisedojmë ishte Agimi erdhi Rrustemi dhe një gjeneral amerikan e disa shoqërues. Marrin informata dhe na tregojnë për arsyen. Agimi ndër të tjera u thotë tekstualisht: Na mbështetni nga ajri, për këmbësori jemi vetë”, ka treguar ai.
Më 12 qershor, që njihet si Dita e Çlirimit, Berisha ka thënë se në Koshare zhvilloheshin luftime dhe dëgjoheshin përpëlitjet e fundit të Serbisë.
Berisha ka thënë po ashtu se ka pasur shkelje të të drejtave të veteranëve të luftës, por edhe fryrje të numrit të tyre.