Arbëri

Blakaj: Dënimet në mungesë mund të rrëzohen nga gjykatat ndërkombëtare

Në mungesë të të akuzuarve, gjykatat në Kosovë i kanë shqiptuar së fundmi dy aktgjykime dënuese për krime lufte. Në këto dy raste janë dënuar tre persona, me nga 15 vjet burgim secili. Procedura e gjykimeve në mungesë e të akuzuarve, ndonëse e paraparë me legjislacion, vazhdon të shoqërohet me dilema e kritika nga ata që e monitorojnë punën e gjykatave

Në dy procese gjyqësore të mbajtura me mungesë të të akuzuarve, e të përfunduara nga shkalla e parë, janë shqiptuar dy dënime për krime lufte. 

Rasti i parë ka të bëjë me Çedomir Aksiqin. Ai në dhjetor të 2024-tës u dënua me 15 vjet burgim si pjesëmarrës në krime lufte, të kryera në fshatrat e Shtimes, përfshirë në Reçak. Në aktakuzë thuhet se Aksiq lindi në Shtime e tash jeton në Krushevc. 

Për Bekim Blakajn, drejtor në Fondin për të Drejtën Humanitare, gjykimet në mungesë janë me plot defekte. 

Ai thotë se kjo lloj procedure duhet zhvilluar vetëm në raste specifike, e jo të bëhet praktikë. 
Sipas Blakajt, aktgjykimet në këtë lloj procedure mund të konsiderohen jo të ligjshme nga gjykatat ndërkombëtare. Për këtë e jep një shembull të Kroacisë. 

“Mund të jenë gjykime jo të drejta. Kur e them këtë, shërbehem më shumë në përvojën e Kroacisë, sepse Kroacia i ka zbatuar gjykimet në mungesë me vite të tëra, mirëpo shumë raste janë dërguar më pas në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe ato aktgjykime i ka parë si të kundërligjshme kjo gjykatë”, ka thënë Blakaj.

Blakaj thotë se proceset gjyqësore të mbajtura pa praninë e të akuzuarve, fillimisht e ofrojnë njëlloj lehtësimi për viktimat e familjarët e tyre, por në fund, fajtori nuk e vuan dënimin.

“Edhe në rastin më të mirë, kur, po e zëmë se dikush është dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm në mungesë, është arrestuar, atëherë ai automatikisht ka të drejtë që të kërkojë rigjykim. Pra, gjykimi do të kthehet në fazën fillestare. Prapë ato viktima do të ftohen që ta japin deklaratën e vet”. 

Të hënën që shkoi, me këtë procedurë u dënuan edhe Ivica Rakoviq dhe Dragan Deniq nën akuzat për dhunë seksuale. Gjykata ua shqiptoi nga 15 vjet burgim secilit. 

Avokati Musa Damati vlerëson se mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me Serbinë, e shtyn Kosovën të zhvillojë gjykim në mungesë.

Damati u shpreh se kjo procedurë edhe për avokatët sjell vështirësi.

“Mangësitë qëndrojnë në moskomunikimin direkt me palën e akuzuar, mungesën e adresave për komunikim të verdikteve gjyqësore dhe të atyre procedurale, dhe mbi të gjitha mangësia kryesore mbetet tek ekzekutimi i aktgjykimeve të plotfuqishme të gjykatave, për arsye se në pamundësi të adresës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar juridik, mungon edhe arritja deri te subjekti, në këtë rast, i akuzuari apo i dënuari për ta dërguar në vuajtje të dënimit, përkatësisht sanksionit penal”, ka theksuar avokati Damati.  

Me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, gjykim në mungesë mund të zhvillohet vetëm për veprat e krimeve të luftës të ndodhura në periudhën 1990-1999. Procesi i parë me këtë procedurë nisi më 2023 ndaj Çedomir Aksiqit.