Arbëri

Clark: Thaçi nuk ka pasur kontroll mbi njerëz që mund të kenë kryer krime

Wesley Clark

Në lidhje me deklaratën se gabimet e të tjerëve nuk mund t'i atribuohen Hashim Thaçit, gjenerali Wesley Clark tha se këtë e ka pohuar për shkak se nuk mendon ai ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë kryer akte dhune.

Ai gjithashtu tha se nuk është e qartë nëse dhuna ishte kryer nga UÇK-ja. Por, edhe nëse do ishte kështu, sipas Clark është realizuar nga individë të caktuar.

“Unë nuk mendoj se zoti Thaçi ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë bërë akte të tilla. Së pari, nuk është e qartë që dhuna ishte kryer nga UÇK-ja. Edhe po të ishte kështu, ajo është realizuar nga individë të caktuar”, deklaroi Clark.

Clark theksoi se edhe po të ketë qenë UÇK-ja e përfshirë në këtë dhunë, askush s’kishte mekanizëm kontrolli mbi atë se çfarë po ndodhte në terren.

“Unë kam folur me Mike Jackson për këtë dhe sigurisht ai ka folur me komandantët e tyre dhe ata kanë qenë në kontakte me persona të UÇK-së që lidheshin me zona të caktuara përgjegjësie. Unë nuk besoj që ka qenë UÇK-ja. Por edhe të ketë qenë UÇK-ja, askush nuk kishte mekanizëm kontrolli mbi atë se çfarë ndodhte në terren. Nuk funksionon një gjë e tillë që ti të jepje urdhër dhe pastaj të prisje që njerëzit ta zbatonin këtë urdhër”, tha ai.

Clark shtoi se njerëzit ishin në rezistencë për shkak se dëshironin të shpëtonin jetët e tyre.

Wesley Clark tregoi një rast kur pilotët e NATO-s kishin sulmuar një rresht të traktorëve në Drenicë pasi panë persona që po digjnin prona. Sipas tij, pilotët kishin menduar së bëhej fjalë për forca serbe që po sulmonin shqiptarët.

“Diku nga mesi i prillit, pilotët tanë fluturonin mbi Kosovë panë një rresht me traktor afër Drenicës që ishte mbushur me persona. Pra, avionët ishin shumë larg dhe po shikonin me dylbi dhe panë traktorë me persona që ndalonin në disa shtëpi dhe po u vendosnin flakën këtyre shtëpive dhe filluam të vrisnin mendjen atëherë se çfarë po ndodhë. Ky piloti filloi të sulmonte traktorët sepse mendonte se këta ishin serbë që po sulmonin shqiptarët. Pra, avioni goditi traktorët. Të nesërmen, Millosheviqi i kërkoi shtypit ndërkombëtar të shikonte vendngjarjen dhe e kuptuan që këta ishin njerëz të thjeshtë që i vranë forcat tona ajrore”, tha Clark.

Clark tha se kryen hetim dhe se pilotët u lënduan pas ballafaqimit me faktet.

“Ne kryem një hetim, pilotet u lënduan shumë kur u ballafaquan me faktet”, tha ai.

Përveç kësaj, ai tha se kishte takuar para disa vitesh dikë në aeroport, e që i kishte thënë se ka qenë në njërin prej atyre traktorëve. Madje, ai i kishte thënë Clark se i digjnin pronat e tyre për të mos ua lënë në dorë serbëve.

“Dhe shumë vite pas njerëzit më takojnë, shqiptarët me ndalojnë në rrugë dhe duan të flasin me mua. Para dy-tre viteve, takova dikë në aeroport që më tha që kam qenë edhe unë në njërin nga ata traktorë dhe unë i thash ‘ke qenë në traktor në Drenicë kur iu sulmoi A10?”, ai u përgjigj me ‘po’. Unë e pyeta se pse po ua vendosnit flakën shtëpive dhe ai u përgjigj se na po ua vendosnim flakën shtëpive sepse ne e dinim që po vinin t’i merrnin serbët dhe preferuam t’i digjnim vet sesa t’ua linim serbëve. Kjo tregon se sa të forta ishin ndjenjat, se sa ishin të zemëruar, mllefosur e sa të frikësuar. Duhet kuptuar se si ka qenë situata dhe çfarë ndjenin personat në terren në Kosovë.  Të trembur por edhe të vendosur po ashtu. Të gatshëm të digjnin pronat e tyre dhe të mos ua linin në dorë serbëve”, tha Clark.

Me kaq përfundoi pyetjet mbrojtja e Thaçit për të vazhduar më pas me atë të Kadri Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon./Betimi për drejtësi

Lexo përditësimet tjera
Wesley Clark

Clarku nis dëshminë në Hagë

Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, po dëshmon në Hagë në çështjen...