Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Costa: BE-ja s’mund t’ia kryejë detyrat e shtëpisë Kosovës

Antonio Costa

Foto: Driton Paçarada

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e ka lavdëruar Kosovën për harmonizimin vullnetar të politikës së jashtme të saj me atë të Bashkimit Evropian. Costa ka thënë se ky është sinjal i qartë i orientimit strategjik të Kosovës. 

Në konferencë për media në Prishtinë, Costa ka pasur edhe një mesazh të qartë për liderët politikë të Kosovës para zgjedhjeve të 7 qershorit e ka thënë se këtë mesazh ua ka thënë edhe liderëve në takim me ta. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Derisa Kosova mbanë zgjedhjet këtë fundjavë, mesazhi im për të gjithë liderët politikë që i takova sot ishte i thjeshtë, partneritetit vjen me përgjegjësi. Bashkimi Evropian mund ta mbështes Kosovën, por nuk mund t’ia kryej Kosovës detyrat e veta. Kosovës i duhen institucione të forta, stabile dhe funksionale të afta për të kryer reforma dhe t’i shfrytëzojë mundësitë që Bashkimi Evropian i ofron”, tha Costa.

Costa ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për rrugën evropiane si të Kosovës ashtu edhe Serbisë. Costa ka thënë se duhet të sigurohet që të zbatohet plotësisht marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. 

Ai po ashtu ka thënë se Samiti i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tivat të Malit të Zi të premten do të jetë moment i rëndësishëm. 

Costa në konferencë është pyetur lidhur me pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën e po ashtu nëse do të rifillojë dialogu me takim të nivelit të lartë, pasi nuk ka pasur takim që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023. 

Sa i përket pengesës së pesë shteteve mosnjohëse, Costa ka thënë se duhet shkuar hap pas hapi. 

“Secili problem e ka kohën e vet. Jemi pajtuar në agjendën e reformave, në procesin drejt anëtarësimi në BE. Është shumë e rëndësishme që Kosova hap pas hapi të japë rezultate te ato që jemi pajtuar. Vlerësimi është që në fund të procesit më s’do të kemi asnjë problem nga ana e BE-së. Ajo që duhet për momentin është ky konsensus i madh i kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE, e kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, tha Costa. 

E për çështjen e mungesës së takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, Costa tha se duhet shikuar nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara. Ai tha se BE-ja është projekt i paqes dhe është ndërtuar si i tillë. 

"Ajo çka po them këtu është e njëjta që do e them edhe në Beograd dhe nëse është e rëndësishme që ju përfshiheni në dialog, është esenciale që edhe Beogradi të përfshihet në dialog dhe për këtë, sigurisht, secili duhet të jetë në mirëbesim dhe të njohë atë që duhet njohur por të fokusohen në të ardhmen”, deklaroi Costa.  
 

Lexo përditësimet tjera
Antonio Costa

Presidenti i KE-së sot në Kosovë