Nadica Çepkenoviq është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën se në rolin e gardianes në Lipjan ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Në aktakuzën e siguruar nga KOHA thuhet se Çepkenoviq bashkë me katër punonjëse të tjera të burgut gjatë kohës së luftës ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare deri në alivanosje
Ish-të burgosura shqiptare gjatë kohës së luftës janë ballafaquar të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë me të akuzuarën për krime lufte Nadica Çepkenoviq.
Të dëmtuarat e kanë identifikuat gruan e parë të akuzuar për krime lufte se, në rolin e gardianes në paralelen për femra të Burgut të Prishtinës në Lipjan, ka maltretuar në mënyre çnjerëzore të burgosurat shqiptare.
“Pikërisht nga kjo dhe shoqet e saj jemi torturuar 24 orë. Torturat kanë qenë nga më të ndryshmet. I kemi pasë të ndaluara vizitat, ushqimet, komunikimin me njëra-tjetrën, daljen për nevoja fiziologjike që ka qenë e kufizuar për 16 orë në ditë, ai ka qenë burg hetues serb”, ka thënë e dëmtuara Mevlude Saraqi.
Njëjtë si Mevlude Saraqi, tortura ka përjetuar edhe shoqja e saj e burgut, Jehona Krasniqi-Morina. Ajo ka thënë se gjatë kohës së luftës ishte studente dhe ishte marrë në pyetje në stacionin policor në Prizren rreth aktiviteteve të UÇK-së.
“Që nga dita e arrestimit më 23 maj 1998 deri më 13 nëntor kur kemi dalë, dhuna ka qenë e pandërprerë. Mirëpo edhe të tjerët që kanë qenë, dhuna ka qenë e pandërprerë, në mënyrë çnjerëzore. Ka fyer në kombësi, në shqiptari, në format më të ndryshmet. Janë mundu me të frikësu në mënyrat më të ndryshmet”, ka deklaruar Krasniqi-Morina.
Sipas aktakuzës, e pandehura Çepkenoviq iu ka shkaktuar lëndime trupore të burgosurave shqiptare, duke i kanosur seriozisht me jetë dhe si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme, ato kanë pësuar gjendje ankthi e frike.
Akuzat e Prokurorisë Speciale i ka mohuar e pandehura Çepkenoviq.
“E pafajshme”, ka thënë ajo para trupit gjykues.
Në aktakuzë është përfshirë edhe deklarata e Flora Brovinës, aktiviste e mbajtur në burgjet e Serbisë edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë. Edhe ajo e ka identifikuar të pandehurën Çepkenoviq.
“Gjatë qëndrimit në Burgun për femra në Lipjan të gjitha gardianet serbe e kishin rrahur, pasi që i detyronin të thoshin: ‘Rroftë Serbia’ dhe e dëmtuara nuk mundte të bërtiste e pas kësaj e godisnin me shufra. Ndër gardianet që e kishin rrahur, kishin qenë Pipi, Bili dhe mund të thotë se të gjitha gardianet serbe e kishin rrahur e maltretuar atë dhe të gjitha të burgosurat e tjera shqiptare”, ka thënë Brovina, sipas aktakuzës.
Më 16 janar 2026, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Nadica Çepkenoviq për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”. Ajo është arrestuar në prill të vitit të shkuar në Lipjan, bashkë me dy persona të tjerë.