Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi e Hysen Durmishi, janë distancuar nga deklarata e kolegut të tyre, Fatos Geci, i cili gjatë seancës së sotme parlamentare deklaroi se ish-presidentin Hashim Thaçi e pret fati i njëjtë sikur Naim Mursel – që u dënua sot me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes.
Në një intervistë në “Konfront” të KTV-së, Rrustemi ka thënë se deklarata e Gecit është qëndrim personal, pasi qëndrimi i LVV-së dihet. Deputeti u shpreh se drejtuesit e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosjes është i qartë, madje ne kemi qenë kundër kësaj gjykate që në krye të herës. Drejtuesit e UÇK-së, lidershipi po mbahen padrejtësisht në Hagë, duhet të lirohen sa më parë, t’i kthehen jetës së tyre, familjeve, jetës politike... nuk e di se si e ka thënë (Geci v.j.) por qëndrimi ynë është i qartë dhe nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër”, ka shtuar ai.
E në një status në Facebook, deputeti tjetër i kësaj partie, Durmishi, u shpreh i turpëruar nga deklarata e Gecit.
“Unë ndihem i turpëruar nga deklarata e deputetit Geci! Lufta jonë ishte e pastër dhe çlirimtare! UÇK është vlera më e lartë e kombit tonë!”, ka shkruar ai.
E ndaj deklaratës ka reaguar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një nga vlerat më sublime të historisë sonë. Askush nuk ka as të drejtë dhe as bazë të vërë dyshime apo njolla mbi të. Shpresoj që asnjë pjesëtar i kësaj ushtrie të mos dënohet apo gjykohet në procese gjyqësore, e sidomos në një proces si ai i Gjykatës Speciale, e cila nuk i ka ndjekur e aq më pak dënuar krimet gjenocidale të Serbisë. Çfarëdo thirrje apo kërkese, nga kushdo qoftë, për dënimin e ndonjë pjesëtari të UÇK-së në këtë gjykatë, është e papranueshme, e panevojshme dhe e dëmshme”, ka shkruar Dugolli në Facebook.