I dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovë në kohën e luftës dhe ambasador amerikan në Serbi deri në fillim të këtij viti, Christopher Hill, sot do të vazhdojë për ditën e tretë dëshminë në gjykatoren e Speciales, në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Deklarimet e Hillit në Speciale i gjeni KËTU
Hill për UÇK-në: Nuk ishte një grup personash i organizuar mirë që të kishin hierarki komanduese
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë luftës, Christopher Hill, ka thënë se e ka parë UÇK-në si grup njerëzish që nuk ishin të organizuar mirë. Ambasadori Hill ka folur në ditën e tretë të dëshmisë në Gjykatën Speciale në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së për përshtypjen e tij gjatë gjithë kohës.
“Ideja që Drejtoria Politike ka ndonjë rol në Shtabin e Përgjithshëm, ishte diçka që personat në Drejtorinë Politike përfshirë Adem Demaçin, ishte përpjekje për të treguar që ne kemi përgjegjësi dhe jemi përgjegjës. Për ne kjo tregonte që bëheshin shumë përpjekje, në kuptimin që personat donin ta konsolidonin pozicionin e tyre dhe donin të ishin më të fortë se disa të tjerë. Nuk ishte një grup personash i organizuar mirë që të kishin hierarki komanduese dhe përgjegjësi komanduese të mirë, kjo ishte përshtypja jonë gjatë të gjithë kohës”, ka thënë Hill.
Kështu u përgjigj ambasadori Hill në rrjedhën e pyetjes së gjyqtarit Guenael Mettraux. Anëtari i trupit gjykues e pyeti Hillin lidhur me një kabllogram amerikan ku thuhej se Adem Demaçi mori pozitën e tij nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Te paragrafi në mes është një fjali që fillon me më në fund... Thotë: më në fund, një emër apo funksion ‘është i redaktuar’ i tha KDOM-it amerikan sonte mbrëma se Demaçi u emërua nga Shtabi i Përgjithshëm që të kryente disa funksione konkrete dhe këto funksione nuk përfshijnë vendimmarrje politike për Shtabin e përgjithshëm, vetëm Shtabi i përgjithshëm me drejtorin politik që e ka drejtimin mund të marrë vendime politike. Pyetja e parë që e kam unë është a ju kujtohet ky kabllogram dhe përmbajtja e këtij kabllogrami”, pyeti Mettraux.
E dëshmitari tha se supozonte që Drejtoria Politike nuk ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm dhe kishte më shumë rol të kontaktit me jashtë.
“Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që Drejtoria Politike ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm apo që të drejtonte ndonjë gjë. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë dhe nuk ka qenë as supozimi ynë. Supozimi ynë, dua të jem i qartë, supozim në mungesë të fakteve, ishte që Shtabi i përgjithshëm më shumë ishte organ ushtarak dhe përbëhej prej komandantëve lokalë që i ishin bashkuar në një mënyrë në një moment dhe drejtoria politike ishte në shumë organi që merrej me botën e jashtme”, tha Hill.
Hill: Marrëveshja e Ramboulletit rrëzoi pikëpamjet e Millosheviqit që shqiptarët s’bëhen bashkë për asgjë
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ramboulletit nga delegacioni shqitpar, sipas Christopher Hill ka rrëzuar pikëpamjet e Sllobodan Millosheviqit.
Sipas Hillit, Millosheviqi thoshte vazhdimisht që shqiptarët nuk mund të bëhen bashkë për asgjë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Koncepti i asaj kohe ishte që t’iu jepej mesazh i qartë serbeve, t’iu thuhet se kjo do të ndodhë kështu që ju është mirë që të bëheshit pjesë e procesit. Pra, është mënyra më e mirë që të mbronit interesat e Serbisë dhe të jeni pjesë e këtij procesi. Përderisa, Millosheviq kishte thënë shumë e shumë herë kishte thënë se shqiptarët nuk do të pajtohen dhe nuk bien dakord asnjëherë për asgjë dhe Marrëveshja në fakt e rrëzonte pikëpamjen e tij që shqiptarët nuk do pajtoheshin me asgjë”, tha ai.
Christopher Hill deklaroi se iu tha Millosheviqit se e kishte gabim se e arritën marrëveshjen dhe është radha e Sebrisë që të bëjë lëvizjen e saj.
“Ai kishte thënë gjatë gjithë kohës që shqiptarët nuk do pajtohen me asgjë dhe për rrjedhojë ne nuk na duhet të pajtohemi me asgjë. Ky ishte një mesazh i kundërt me atë se çfarë po thoshte Millosheviqi. Ne, po i thoshim Milloshevqit që ai e kishe gabim se e arritëm Marrëveshjen por ti do bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”, tha Hill.
Dëshmitari u shpreh se nuk i kujtohet se në këtë marrëveshje kanë qenë katër nënshkrime, por e di se tri prej tyre të kujt kanë qenë. Tha se një ka qenë nga ana e UÇK-së, një nga LDK-ja dhe një nga grupi i intelektualëve të pavarur siç e quanin ata veten.
Hill: Pavarësia ishte slogan, vështirë të gjendej ndonjë shqiptar që thoshte dua autonomi
Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se shqiptarët e Kosovës çështjen e pavarësisë e kishin slogan. Ai tha se ishte e vështirë të gjendej ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte se duan thjesht autonomi.
“Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen. Çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thonin se ky është qëllimi ynë. Ishte e vështirë të gjeje ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte duam thjesht autonomi”, tha Hill, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se shqiptarët e donin Kosovën Republikë si shtetet tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.
“Personat shprehnin dhe thonin se unë e mbështes se Kosova do të jetë në Republikë. Pra, si të gjitha republikat tjera të shkëputura nga Jugosllavia. Pra, kur thoshin republikë e krahasonin me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia”, tha ai.
Hill theksoi se duke e pasur parasysh këtë, edhe filluan që të kërkojnë pika kontakti.
“Duke pasur këtë parasysh, ne filluam të kërkonim pika kontakti që ishin të besueshëm dhe vërtetë që mund të flisnin në emër të UÇK-së”, u shpreh ai.
Hill tha për Adem Demaçin se ka pasur kontakt me atë sepse ishte një person me ndikim. Por, sipas tij, ai më shumë fliste për veten sesa për UÇK-në
“Unë kam shpenzuar kohë me zotin Demaçi sepse ishte një person që kishte ndikim. Nuk besoj që ai fliste për UÇK-në, por fliste më shumë për veten”, deklaroi Hill.