Njëmbëdhjetë biznese e kanë emrin me “EURO...” përgjatë magjistrales Ferizaj-Prishtinë. Po t’i bëhet një përllogaritje e thjeshtë rrugës prej rreth tridhjetë kilometrash – matur nga hyrje-daljet e dy qyteteve – i bie se nuk mund t’i përshkoni as tri kilometra pa jua rrokur syri anash ndonjë reklamë me “EURO...” Veprimtaritë janë të turlifarshme. Prej pompave të benzinës e pjesëve të makinave deri te fabrikat e betonit apo të dyerve e dritareve. Më e reja është “EURO....” që merret me tregtim të materialeve të tekstilit.
Eurolind Rekaj përditë hipën e zbret nga autobusi në stacionin afër njërës prej tyre në fshatin Prelez i Muhaxherëve në Ferizaj.
“Emrin ma ka lënë babai”, tregon Eurolindi, gjimnazist i shkencave shoqërore në qytetin e rrafshët me zhvillimin më të hovshëm tregtar pas luftës. “Ka dashur që emri të jetë me – u, Eurolind”, shton rioshi.
Në mediat e shkruara të Kosovës, ndryshe nga ato të Shqipërisë, Evropa nuk shkruhet me “u” (Europë), por me “v” (Evropë). Por, ndryshon edhe procesi i integrimit evropian i dy shteteve shqiptare.
“Evropianëve të rinj” të Kosovës ende u kërkohet pritja disamujore në rrugë para ambasadave evropiane për vizë në vendet e Bashkimit Evropian. Jo edhe qytetarëve të shteteve të rajonit.
Më Evropë se Evropa!
Pavarësisht se të fundit në rrugëtimin drejt “Evropës” – sikurse shumëkush në Kosovë i referohet gabimisht BE-së, sikur të mos ishim as gjeografikisht pjesë të kontinentit – shqiptarët e Kosovës janë populli më pro Bashkimit Evropian. Në listën e bizneseve të regjistruara qindra syresh janë me emra të ndryshëm, por që krejt nisin me “EURO...”. Aktive e të shuara. Mijëra dokumente zyrtare me “Euro” shfaqen në uebfaqen “biznesetehapura.com”.
Ismet Rexhepi, pronar i “EUROGOMËS”, thotë se dy ishin arsyet që ia mbushën mendjen për emrin.
“Kur e kemi nisur biznesin kam qenë i vetëdijshëm që në atë kohë se gjeografikisht jemi në Evropë - qe ku është Greqia, domethënë ne jemi në Evropë”, thekson Rexhepi, duke treguar edhe të dytën. Biznesore. “Por më shumë kanë ndikuar produktet që kanë qenë të Evropës, sepse atëherë nuk ka pasur lëvizje të lirë tregtare dhe nuk mund të vinin prej Kinës, Malajzisë, Tajlandës, e Zoti e dittë”.