Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar pushtetin e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti se po planifikon të ngufasë lirinë e shtypit në Kosovë.
Në një reagim në Facebook, Haradinaj ka theksuar se liria e mediave është themel i demokracisë dhe nuk duhet të trajtohet si privilegj, por si një e drejtë e domosdoshme që garanton transparencë dhe llogaridhënie. Ai ka vlerësuar rolin e gazetarëve dhe mediave, duke nënvizuar se ato janë “zëri që mban përgjegjës pushtetin” dhe pasqyra e së vërtetës për shoqërinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoHaradinaj ka theksuar se, ndonëse numri i gazetave të shtypura ka rënë, mediat kanë kaluar në platforma elektronike dhe mbeten po aq të rëndësishme. Sipas tij, gazetarët dhe ekipet mediale punojnë shpesh në kushte të vështira dhe meritojnë respekt të vazhdueshëm.
“Liria e shtypit, hapësira që pushteti i Kurtit planifikon ta ngulfas. Sot, kemi shumë pak gazeta të shtypura. Koha që na mungon na shfaqet në kujtesë si respekt. Shkrimet dhe opinionet, sidoqoftë, sot janë prezente në një platformë tjetër, pra elektronike. Dhe padyshim, ne duhet ta mbrojmë si dje, sot dhe të nesërmen, si kauzë edhe më tutje. Liria e shtypit nuk është privilegj i mediave, por është themel i demokracisë. Ajo është zëri që mban përgjegjës pushtetin, pasqyra që i tregon shoqërisë të vërtetën, edhe kur ajo është e vështirë për t’u dëgjuar. Një shtet që respekton median, respekton qytetarin e vet”, ka shkruar ai.
Ai ka kritikuar ashpër gjuhën që, sipas tij, përdoret nga pushteti ndaj mediave, duke e cilësuar atë si ofenduese dhe të dëmshme për demokracinë dhe besimin e qytetarëve.
“Kritika ndaj mediave duhet të jetë argumentuese, jo denigruese”, ka deklaruar ai.
Duke folur për qasjen e tij, Haradinaj ka premtuar një raport të hapur dhe korrekt me mediat, pa shmangie nga pyetjet dhe pa gjuhë përçmuese. Ai ka shtuar se politikanët duhet të jenë garantues të një mjedisi ku gazetarët ndihen të sigurt dhe të mbështetur në misionin e tyre.
Në fund, Haradinaj ka theksuar se një shoqëri pa media të lirë është një shoqëri pa zë, duke shprehur bindjen e tij për një Kosovë ku, sipas tij, e vërteta nuk ndalet kurrë.