Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hasani: SHBA-ja s’po e ka të qartë çka do të bëjë në Iran

Adelina Hasani nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po kanë objektiva të qarta se çka po duan të bëjnë në Iran, duke përmendur ndryshimet e deklaratave të presidentit Donald Trump.

Trumpi fillimisht kishte deklaruar se qëllimi i SHBA-së është ndryshimi i regjimit në Iran. Megjithatë, kohëve të fundit kjo nuk po përmendet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Hasanit, objektivat e SHBA-së në Iran po ndryshojnë me kohë dhe po krijojnë huti edhe tek aleatët perëndimorë.

“Situata aktuale në Iran pasqyron ndryshimet në gjeopolitikën që po përjetojmë kohët e fundit, si dhe rikonfirmimin e aleancave, ndërkohë që është e vështirë të parashikohet se çfarë mund të ndodhë. Edhe rasti i Iranit e tregon këtë dhe, po ashtu, momenti i përfundimit të krizës është i paparashikueshëm. Objektivat nuk janë të qarta, dhe mënyrat se si ishin përcaktuar në fillim – për shembull, nëse sulmet do të synonin bazat bërthamore apo ndryshimin e regjimit – kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Aktualisht duket se objektivi nuk është ndryshimi i regjimit. Që nga fillimi, objektivat kanë qenë gjithmonë të ndryshueshme”, ka thënë Hasani në “Interaktiv” të KTV-së.

Hasani u shpreh se për Izraelin çdo dëm që i bëhet Iranit është i mirëseardhur, por vuri në dukje se si SHBA-ja ende nuk po e ka të qartë se çka do në Iran.

Ndërkaq, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Bashkimi Evropian në këtë luftë ka luajtur rolin e vëzhguesit që pret pasojat.

“Bashkimi Evropian i është qasur konfliktit në mënyrë tradicionale, pa qëndrim të qartë, me ndasi të thella të vendeve anëtare në qasje, dhe përgatitet për pasoja”, ka thënë ai.

Sipas tij, problemi më i madh te evropianët është se s’mund të parashikojnë veprimet e presidentit amerikan, Donald Trump.

Hasani ka thënë se për dallim te rasti i Ukrainës kur kishte unifikim të qëndrimit perëndimor, te rasti i Iranit ka një çarje.

Ajo ka vlerësuar se lëkundja ekonomike ka filluar në Iran dhe kjo ka gjasa të mundësojë një zë të mobilizuar kundër pushtetit brenda. Megjithatë, ajo ka thënë se për këtë duhet të kalohet kohë.

Hasani ka thënë se SHBA-ja po mundohet t’i shkëpusë të gjitha lidhjet e Kinës në Iran.

Në fund të shkurtit, SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit. Teherani është kundërpërgjigjur, duke goditur edhe bazat amerikane në rajon. Që atëherë, shkëmbimet e raketave kanë vazhduar çdo ditë. Në sulme, u vra edhe udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei. Në vend të tij u emërua djali i tij, Mojtaba Khamenei, i cili gjithashtu besohet se është plagosur rëndë në sulmet amerikano-izraelite.