Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, është zotuar se për 18 muaj do ta zhbllokoje trafikun në Prishtinë.
Ai të premten ka mbajtur një konferencë për media, ku ka prezantuar planin e tij për zhbllokimin e trafikut në kryeqytet.
Ismaili ka thënë se “kaosi i trafikut është kthyer në një urgjencë që nuk mund të presë më dhe se pas 12 tetorit qytetarët do të shohin ndryshimin e shumëpritur”.
“Çdo ditë qytetarët e Prishtinës humbin orë të tëra në kolona, duke shpenzuar kohë, para dhe energji. Ky problem nuk prek vetëm lëvizjen, por edhe ekonominë, shëndetin dhe cilësinë e jetës sonë”, ka deklaruar Ismaili.
Si pjesë e planit të tij për zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajve, Ismaili ka prezantuar dy nga masat që do të ndërmerren.
“Vendosja e 60 semaforëve të rinj, duke rritur numrin total nga 20 sa janë aktualisht në 80. Kjo, sipas tij, do të mbulojë të gjitha kryqëzimet kryesore, do të shmangë kaosin e përditshëm dhe do të mundësojë menaxhim më të mirë të rrjedhës së veturave. Qëllimi nuk është të shtojmë pritjet për qytetarët, por të krijojmë lëvizje më të shpejtë e më të organizuar. Krijimi i Qendrës së Menaxhimit të Trafikut, një qendër moderne që do të monitorojë në kohë reale kushtet e trafikut, do të menaxhojë fluksin e automjeteve në hyrjet e qytetit, si dhe do të koordinohet ngushtë me policinë dhe shërbimet emergjente për reagim të shpejtë”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka thënë se këto janë vetëm dy nga pikat e planit të plotë për të zhbllokuar trafikun në Prishtinë. Sipas tij ky plan mbështetet në hulumtime dhe praktika të rekomanduara nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Qëllimi ynë është i qartë dhe i matshëm: brenda 18 muajve, Prishtina do të jetë qytet pa kolonat e përditshme, me lëvizje të rregullt dhe me respekt për kohën e secilit qytetar. Ka ardhur koha për një qeverisje që i jep fund improvizimeve dhe që sjell zgjidhje të prekshme”, ka deklaruar Ismaili.
