Brenda një viti, 15 mijë pacientë trajtohen në klinikën e Endokrinologjisë në QKUK për sëmundjen e diabetit teksa e deri në 900 syresh hospitalizohen. Shumica e tyre përballen me sfida në menaxhimin e sëmundjes, për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, si pompat insulinike me sensor. Në Ditën botërore të diabetit u është bërë thirrje institucioneve që t’i sigurojnë pajisjet moderne për menaxhimin e kësaj sëmundjeje
Zymryte Maqestena ka 27 vjet që jeton me sëmundjen e diabetit.
Ajo tregon se shkaku i mungesës së një aparati me sensor, detyrohet që brenda ditës të shpohet nga disa herë me gjilpërë për ta bërë matjen e nivelit të sheqerit në gjak.
Në Ditën Botërore të Diabetit, ajo kërkon që institucionet të angazhohen për t’ua siguruar pacientëve këtë pajisje që kushton rreth 80 euro dhe që duhet të ndërrohet çdo dy javë, pasi që e humb funksionin.
“Ish kanë shumë një lehtësim i madh për neve, se shpimi çdo kohë, para kohe, mas kohe, a e din, ajo është shumë e vështirë, ato me i pas aparatat u kanë shumë mirë. Unë e kam një rast jashtë, ajo nuk ka nevojë me u shpu sikurse ne që shpohemi. Unë gishtat këndej nuk i dalloj të mitë se duhet me u shpu sahat e dakik pa marrë parasysh kohë, n varet qysh e ndiej vetën, e ish kanë shumë e mirë po tash ju mbet atyre përgjegjësia... ata në Ministri e dinë”, ka thënë Maqestena.
Sigurimi i pajisjeve moderne për menaxhimin e diabetit dhe shtimi i disa medikamenteve të reja në listë esenciale janë shprehur si kërkesa edhe nga përfaqësues të Klinikës së Endokrinologjisë.
“Deri më tani, ne funksionojmë vetëm me donacione sa i përket pompave insulinike. Sigurisht që kërkesat tona, të cilat do t’i përmendim edhe te rekomandimet, janë që të pajisemi nga Ministria e Shëndetësisë me pompa insulinike me sensor, me këtë formë të trajtimit moderne për pacientët tanë”, ka deklaruar Merita Emini-Sadiku, drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë.
Në konferencën e mbajtur për shënimin e Ditës Botërore të Diabetit, u prezantuan të dhëna lidhur me diabetin, sipas të cilave brenda një viti trajtohen 15 mijë pacientë me diabet ndërsa hospitalizohen deri në 900.
Sipas drejtoreshës së Klinikës, Merita Emini-Sadiku, 7.9 për qind e popullsisë në Kosovë është me diabet.
“Diku 11% të popullatës mbarë botërore ka diabet, kurse në Kosovë diku 7.9% në bazë të punimeve që janë bërë në IKSHP, ndërsa si prediabet kap diku 6.1%. Në mbarë botën, çdo i 9-ti individ ka këtë sëmundje dhe në total është 589 milionë në mbarë botën. në Kosovë në bazë të statistikës 7.9% dhe popullatës 1 milionë e 600 mijë i bie diku 126 mijë e 400 pacientë të kenë sëmundjen e diabetit. 90% prej tyre kanë diabet të tipit 2, ose 113 mijë në bazë të statistikave”, u shpreh Emini-Sadiku.
E në Ministrinë e Shëndetësisë, bënë të ditur se aktualisht 15 mijë e 715 pacientë i nënshtrohen terapisë insulinore.