Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti për ekspozitën në shesh: Unë nuk mund ta rrah Shkelzen Gashin

Andin Hoti

Foto: Driton Paçarada

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, para Komisionit për të Drejtat e Njeriut i është përgjigjur deputetëve, anëtarë të këtij komisioni, në çështjet e shtruara nga ta në lidhje me Gjykatën Speciale në Hagë dhe për ekspozitën me pasaktësi për masakrat në Kosovë.

Për ekspozitën, çështje e ngritur nga deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, Hoti ka thënë se ministria që e drejton nuk ka mandat për heqjen e ekspozitës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ajo çka ka ndodhur dy javët e fundit, krijimi i një opinioni publik se kinse ministria që unë udhëheqë që ka njëfarë përgjegjësie për ekspozitën në shesh. Ministria e ka për mandat reagimin, mbrojtjen e vlerave të luftës dhe unë kam reaguar ndër të parët lidhur me ekspozitën. Unë nuk kam mekanizëm aktual për t’i hequr pllakat. Financimin e kanë bërë disa organizata dhe Kuvendi, por jo ministria...Shkëlzen Gashi nuk është Albin Kurti, ai nuk është këshilltar i imi. Unë nuk mund ta rrah Shkëlzen Gashin”, ka thënë ai. 

Zemaj iu kundërpërgjigj duke thënë se ndonëse si ministër Hoti nuk ka në dorë masa penale, mund të ketë masa politike e financiare. 

“Ju nuk jeni për të reaguar, ju keni mandat ekzektuiv. Për të reaguar, reagojnë qytetarët mediat, organizatat. Ju nuk keni në dorë masa penale, por keni në dorë masa politike e financiare. Tema e cila është trajtuar në publik, meriton trajtim institucional. As më mirë as më e mundshme se sa kompetencat e ministrisë suaj”, është shprehur ai.

Në kërkesën e anëtarit të komisionit, Artan Behrami, që kjo ministri të angazhohet që ta ketë prioritet verdiktin e Dhomave të Specializuara për ish-krerët e UÇK-së, pra që në rast dënimi të ketë fonde edhe për apel e edhe për shkallën e parë dhe të dytë, Hoti e ka përmendur një rezolutë të para dy javëve  të miratuar në Kuvend.

“Sa i përket Dhomave të Specializuara, me sa e di unë Kuvendi ka miratuar një rezolutë para 2 jave. Unë besoj që puna e Gjykatës do të përfundojë shumë shpejt, ata do të lirohen shumë shpejt. Sa i përket letrës që ma dhe e shqyrtojmë, e analizojmë dhe vijmë e diskutojmë”, ka thënë ai. 


Komisioni për të Drejtat e Njeriut shpall konkurs për Avokatin e Popullit

Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka shpallur konkurs të mërkurën për pozitën e Avokatit të Popullit.

Gjatë raportimit para këtij komisioni, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka paraqitur fushëveprimtarinë e ministrisë që ai udhëheq. 

Sipas tij, ministria mbulon Inspektoratin Qendror të Punës, Agjencinë e Punësimit si dhe skemat sociale, duke u angazhuar në krijimin e politikave dhe monitorimin e shërbimeve sociale.

Ai ka theksuar se ministria monitoron edhe një sektor të ri, atë të familjes, si dhe mbulon çështjet që lidhen me vlerat e luftës çlirimtare.

Hoti bëri të ditur se është në plan krijimi i një departamenti të veçantë, i cili do të merret me hartimin e politikave për vlerat e luftës.