Arbëri

Kryeziu: Opozita nuk është e interesuar për konstituim të Kuvendit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu, ka thënë se nuk ka qenë befasi veprimi i djeshëm i PDK-së e cila nuk e votoi deputetin Dimal Basha për kryeparlamentar.

Ajo ka thënë se nuk është problemi te emri, duke potencuar se opozita nuk donë që ta konstituojë Kuvendin.

Kryeziu ka thënë se të dielën  një pjesë e opinionit është bindur që nuk i ka fajet Vetëvendosja.

“Ne e kemi një listë emrash që i kemi propozuar pas diskutimeve brenda partisë. Kryesia e Vetëvendosjes mban takime para çdo seance se si të ecet tutje. Ne nuk kemi një listë të gatshme e pastaj t’i përmbahemi asaj. Po të ishte për ne, do ta votonim Albulena Haxhiun. Emrat e tjerë janë për shkak të rrethanave në të cilat jemi gjendur”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se nuk mund të veprojnë sipas disponimit të PDK-së.

Ka shtuar askush nuk mund të interferojë brenda vendimmarrjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryeziu ka deklaruar se PDK-ja ka edhe instanca të tjera me të cilat konsultohet përveç partisë, duke shtuar se për këtë e ka kërkuar pauzën 10-minutëshe.

“Nëse ata e kanë pasur të vërtetë atë që do ta votojnë një deputet, atëherë do ta votonin dje dhe tashmë do ta kishim një kryetar të Kuvendit. Ata e kanë nxjerr në sipërfaqe atë se ku qëndron faji. Ne i kemi dy vendimet të Kushtetueses të cilat thonë se zgjidhja duhet të arrihet në Kuvend. Si mendoni që të arrijmë marrëveshje me këto subjekte politike, kur njërës i kemi bërë thirrje dy herë për marrëveshje, po ashtu edhe tjerat i kemi ftuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, LDK-ja publikisht ka thënë se nuk do ta pengojnë konstituimin e Kuvendit, e pastaj ka thënë se nuk do ta votojë askënd pa marrëveshje politike. Kryeziu ka thënë se i kanë ftuar për marrëveshje politike por nuk kanë dashur.

 Ka mospërputhje të jashtëzakonshme të deklaratave të opozitës, ka vlerësuar ajo.

Ka shtuar se kohëve të fundit ka një bashkërendim të Listës Serbe dhe opozitës.

“Ne nuk po ndihemi në presion sepse po bëjmë lëvizje të vazhdueshme. Janë pesë emra brenda këtij 10-ditëshi të parë që i kemi propozuar. Pse duhet të ndihemi në presion kur ne po bëjmë lëvizjes të vazhdueshme. Konstituimi i Kuvendit mund të ndodhte qysh në herën e parë kur e propozuam Albulena Haxhiun. Është e paqëndrueshme kur na thuhet që nuk është unifikuese. Ne nuk po e zgjedhim presidentin, por kryetarin e Kuvendit”, ka thënë ajo.

Gjatë seancës të së dielës, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar ministrin në detyrë të Financave Hekuran Muratin, ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavcin dhe deputetin Dimal Basha për kryetar të Kuvendit, por asnjëri prej tyre nuk ka marrë votat e mjaftueshme.