Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Zyrat e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kërkesën për anulim të vendimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
LDK-ja shkroi në Facebook se kanë mbështetjen edhe të deputetëve të tjera për anulimin ose shtyrjen e vendimit për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë, duke shtuar se kërkojnë edhe anulimin e rritjes së çmimit.
LDK-ja tha se kjo kërkesë “është hap i domosdoshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve në këtë kohë të ndjeshme”. Kjo parti kërkoi edhe zbatim të konsultimeve publike, dorëzim i analizës së plotë në Kuvend dhe zotim për të gjetur alternativa “që nuk rëndojnë qytetarët”.
“Sot, edhe zyrtarisht është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) kërkesa e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetëve tjerë mbështetës për anulimin ose shtyrjen e vendimit të ZRrE-së për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike. Me të njëjtën shkresë është kërkuar edhe anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë për ekonomitë familjare”, ka shkruar LDK-ja në Facebook.
Lidhja Demokratike shtoi se ky është vetëm një hap për të mbrojtur interesin e qytetarëve “përballë një vendimi që do të ketë pasoja në vështirësimin e jetës së secilit qytetar e biznes në Kosovë”.
“Do të ketë edhe veprime tjera sapo të themelohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit që janë bllokuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë”, ka shtuar ai.