Arbëri

Bllokada në Kuvend i rrezikon fondet e BE-së për arsim, punësim dhe mirëqenie

Mbi 820 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së mbeten të bllokuara, si pasojë e pamundësisë për ta konstituuar Kuvendin. Këto mjete janë të destinuara për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e sistemit arsimor, uljen e papunësisë dhe forcimin e konkurrueshmërisë së vendit. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se nëse kjo situatë vazhdon deri më 1 korrik, Kosovës do t'i mohohet shuma prej 61.8 milionë eurosh si parafinancim nga Plani i Rritjes, dhe 32.8 milionë nga reformat, që Kosova veçse i ka zbatuar

Bllokimi i mbi 800 milionë eurove të Bashkimit Evropian, si pasojë e moskonstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit, që duhet ta ratifikojë marrëveshjen me bllokun, ndikon direkt në projektet, që kanë të bëjnë me arsimin, zhvillimin ekonomik e mirëqenien e qytetarëve.

Fundvitin e kaluar, Komisioni Evropian mori vendim për t’i mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave. Në takimin e 23 tetorit, KE-ja i miratoi agjendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

Krahasuar për kokë banori, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, me më shumë se 820 milionë euro.  

Kushti për t’i shfrytëzuar këto fonde është ratifikimi i marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk po arrin të konstituohet prej 15 prillit.

Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike thanë se në rast mosratifikimi të marrëveshjes deri në muajin e ardhshëm, Kosova e humb parafinancimin e parë, në vlerën prej 7 për qind të shumës totale.

“Siç e kemi theksuar edhe në reagimin publik të lëshuar, mosratifikimi i marrëveshjes së facilitetit, si dhe përfundimit, dhe pastaj të ratifikimit të marrëveshjes së huamarrjes, e kërcënon seriozisht zbatimin e Planit të rritjes. Në qoftë se kjo situate vazhdon deri me 1 korrik, Kosovës do t'i mohohen 61.8 milionë euro në si parafinancim nga Plani i Rritjes, 32,8 milionë nga reformat, që Kosova veçse i ka zbatuar, pra në total rreth 94 milionë euro”, ka thënë Besar Gërgi, hulumtues në GLPS.

Ai shton se përfundimi i dy gjysmëvjetorëve pa ratifikim të marrëveshjeve, si dhe formim të strukturave zbatuese, vë në rrezik zbatimin e plotë të Agjendës së reformave, gjë që mund të pasojë me rinegocim të Planit.

“Një gjë e ngjashme ka ndodhur me Agjendën e Reformave Evropiane (ERA), e cila pasi nuk u arrit të zbatohet ne afatin e saj të paraparë u rinegociua në ERA II. Për ta siguruar zbatimin e duhur të reformave në rrugën e integrimit evropian, si dhe për ta siguruar financimin e tyre me Planin e rritjes, forcat politike parlamentare duhet urgjentisht të themelojnë institucione stabile, në të kundërt papërgjegjësia e tyre do t'i kushtojë vendit me miliona euro, si dhe dëmtim të reputacionit”, ka potencuar ai.

E, Demush Shasha, nga Instituti Epik tha se Kosovës do t’i duhet t’i kryejë edhe disa reforma, të cilat pastaj do të shpërblehen me një shumë të caktuar financiare.

“Pra, Kosova i përmbush reformat, BE-ja i disburson mjetet. Tani një pjesë të mjeteve do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës, dhe pastaj institucionet e Kosovës mund të bëjnë çfarë ato të konsiderojnë më të rëndësishme, për të financuar me ato mjete. Një pjesë tjetër e mjeteve, në fakt pjesa e madhe e mjeteve, nuk do të shkojë në buxhetin e Kosovës, por do të shkojë në financim projekteve infrastrukturore, pra projekteve për përmirësim të infrastrukturës rrugore, përmirësim të infrastrukturës hekurudhore, financimin e projekteve, që ngritën konkurrueshmëri ekonomike të Kosovës, pra ndihmën e bizneseve për t’i rritur kapacitetet e tyre prodhuese e tjera, e tjera. Pra, një pjesë tjetër e mjeteve do të shkojnë në financimin e projekteve, që fuqizojnë në përgjithësi konkurrueshmërinë e ekonomisë”, ka deklaruar Shasha.

Ai shton se këto mjete assesi nuk duhet konsideruar si të humbura.

“Ne gjendemi në një situatë, ku këto mjete janë të momentalisht të bllokuara, jo të pezulluara. Dhe po presim, po presim që të krijojë institucione të reja, në mënyrë që pastaj të vazhdohet tutje. Këto mjete në asnjë formë nuk duhet konsideruar si të humbura ose të rrezikuara në çfarëdo forme. Pra, vetëm jemi duke kaluar në këtë vonesë, le të themi, derisa konstituohen institucionet e reja dhe më pastaj projektet do të fillojnë pa vonesa”, ka thënë Shasha.

Sipas një dokumenti të Komisionit Evropian, mjetet nga Plani i Rritjes për Kosovën mes tjerash kanë ndikim direkt edhe në mirëqenien e qytetarëve, përmes fuqizimit ekonomik dhe uljes së papunësisë.

“Të rinjtë, gratë dhe grupet e cenueshme ose me nevoja të veçanta do të jenë përfituesit kryesorë të mbështetjes. Veprimet do ta ofrojnë një mjedis të favorshëm, që ata të jenë aktorë aktivë socio-ekonomikë dhe të ruajnë interesin e tyre për të qëndruar në Kosovë për aq kohë sa, paralelisht, ndërmerren veprime për përmirësimin e të drejtave të punës”, shkruan në dokumentin e KE-së për Kosovën.  

Tek përmenden rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin PISA, përmes fondeve të BE-së synohet ndryshimi i kësaj situate.

“Agjenda e Reformës synon t’i adresojë mangësitë në sistemin arsimor të Kosovës, duke e përmirësuar cilësinë dhe rëndësinë e trajnimit fillestar dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional të mësuesve, duke e përmirësuar sistemin e licencimit të mësuesve, duke i modernizuar kurrikulat dhe tekstet shkollore për arsimin bazë dhe duke modernizuar arsimin përmes përpjekjeve për digjitalizimin e sistemit, materialeve dhe rritjen e kompetencës digjitale të institucioneve, mësuesve dhe studentëve”, shkruan aty.

“Përpjekje të rëndësishme do të drejtohen, gjithashtu, në riorganizimin e rrjetit shkollor për ta rritur efikasitetin buxhetor dhe për të siguruar që studentët të marrin më shumë orë mësimi. Së fundmi, investimi në arsimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijërisë, përmes infrastrukturës, sigurimit të cilësisë, rekrutimit të mësuesve dhe asistentëve specialë, do të kontribuojë në ofrimin e bazave më të mira për fëmijët e vegjël dhe në rritjen e potencialit të tyre. Ky investim mund ta mbështesë potencialisht punësimin e grave, me kusht që të kryhet një analizë e detajuar rreth pengesave për nënat e reja sa i përket qasjes në punësim”.

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë ditë më parë se fondet, që Kosova do t’i përfitojë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) nuk do të humbin si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, në procesin e draftimit dhe negocimit të agjendës së reformave, Qeveria e Kosovës u është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, duke dorëzuar, siç ka thënë, dokumentet e nevojshme në kohë dhe me cilësi. Sipas Bislimit, vonesa janë shkaktuar, për shkak të aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes nga Këshilli i BE-së.

Veç pamundësisë për t’i shfrytëzuar këto fonde përderisa nuk ka ratifikim të marrëveshjes, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se situata rëndohet, meqë Kosova vazhdon të jetë nën masat e BE-së.

“Në këtë kontekst, duhet, gjithashtu, të theksohet se ne ende jemi nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian që nga 28 qershori i 2023, pra për gati dy vjet. Dëmi ekonomik i këtyre masave me lehtësi e ka tejkaluar shifrën prej 100 milionëve dhe po rritet për çdo ditë që ato janë në fuqi. Në kohën kur Komisioni Evropian e ka hapur një derë për zbutjen e efekteve të këtyre masave, është papërgjegjësi e rëndë politike mosshfrytëzimi i kësaj mundësie”, kanë thënë në GLPS.  

E, sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, rreth 613.4 milionë euro projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar rezultojnë, si pasojë e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Në raportin “Ndikimi financiar i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”, theksohet se 7.1 milionë euro nga kjo shumë e përgjithshme janë humbur tërësisht, për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara.

Sektorët më të prekur, sipas raportit, e përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro.