Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), i kanë kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndërmarrë masa të menjëhershme për rregullimin e sistemit të ftohjes në Pallatin e Drejtësisë,
Në një reagim të përbashkët këto institucione kanë theksuar se kërkesat e përsëritura për ndërhyrje dhe rregullim të sistemit të ftohjes nuk kanë marrë përgjigje për vite me radhë, siç thuhet, “ndonëse objekti i Pallatit të Drejtësisë është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe funksionalitetin e këtij objekti”.
“Të gjendur përballë kësaj situate të papranueshme, KPK dhe ZKPSH i bëjnë thirrje të qartë dhe të drejtpërdrejtë Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndërmarrë menjëherë masa konkrete dhe efektive për përmirësimin e kushteve elementare të punës në këtë objekt, në mënyrë që të garantohen siguria dhe mirëqenia e punonjësve të sistemit prokurorial”, thuhet në njoftim.
Ata kanë shprehur shqetësimin lidhur me kushtet e papërshtatshme të punës në ambientet e Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, siç thuhet, të shkaktuara nga mosfunksionimi i sistemit të ftohjes dhe temperaturat ekstreme.
“Për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ftohjes dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta, temperaturat brenda zyrave të këtyre prokurorive po arrijnë nivele mbi 35°C, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të punës dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve”, thuhet në njoftim.
Ata u kanë bërë thirrje kryeprokurorev të këtyre prokurorisë që të reduktojnë orarin e punës.
“Në këtë drejtim, KPK dhe ZKPSH u bëjnë thirrje Kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë që, në kuadër të kompetencave të tyre, të marrin masa, përfshirë edhe reduktimin e orarit të punës, deri në përmirësimin e kushteve”, thuhet në reagim.