Arbëri

Pasojat e moskrijimit të Qeverisë

Qeveria e Kosoves

Moskonstituimi i institucioneve shtetërore po vazhdon të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit, duke krijuar pasiguri te bizneset vendore dhe investitorët e huaj, thonë njohësit. Sipas tyre, bizneset vendore dhe investitorët e huaj po përballen me një klimë të pasigurt, e cila po i detyron të ngadalësojnë aktivitetet dhe planet e tyre për zhvillim e investim, raporton KosovaPress.

Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se mungesa e stabilitetit politik dhe qeverisës po pengon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe siç thonë ata po krijon pasiguri të vazhdueshme në tregun vendor.

Profesori universitar Sejdi Rexhepi, theksoi se “situata aktuale po e lë shtetin dhe ekonominë në një gjendje të paorganizuar”. Sipas profesorit Rexhepi, përveç bizneseve vendore, kjo po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek bizneset ndërkombëtare të cilat edhe nëse kanë pasur për qëllim të investojnë në këtë periudhë, sipas tij nuk kanë investuar dhe e kanë shtyrë për një periudhë tjetër kohore kur situata të jetë stabile.

“Moskonstituimi i institucioneve shtetërore, ka bërë që shteti dhe ekonomia në përgjithësi të funksionojnë në një gjendje jo mirë të organizuar, të definuar, për faktin se treguesit e rritjes po tregojnë që janë jo të kënaqshëm për dy tre mujorët e parë... Bizneset kanë telashe, probleme dhe të njëjtat i adresohen Qeverisë dhe trupave të saj dhe mungesa tyre e dëmton dikë shumë negativisht, te  bizneset vendore por në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek bizneset ndërkombëtare të cilat edhe nëse kanë pasur ndërmend të investojnë në këtë periudhë në Kosovë sigurisht se kanë shtyrë për një periudhë kur do të jetë diçka më stabile”, ka thënë Rexhepi.

Gjithashtu eksperti financiar Emanuel Bajra thekson se përveç varësisë që është krijuar nga bizneset ndaj ndihmave dhe subvencioneve shtetërore, ngërçi politik po sjellë pasoja serioze në modelimin e ekonomisë së vendit.

Përveç kësaj, Bajra thotë se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje politike për të dalë nga kjo krizë për hir të ekonomisë, konsumatorit dhe gjithashtu siç potencon ai për rreziqet që po vijnë nga jashtë Kosovës.

“Kemi krijuar njëfarë lloj varësie ndaj ndihmave prej shtetit, stimulimeve të ndryshme prej shtetit.. Por, që të kemi ngërç politikë të tillë, qysh kemi deri më sot, nuk është e shëndetshme, është e rrezikshme, për mënyrën se si do ta zhvillojmë këtë shëndetin ekonomik, se si do ta modelojmë ekonominë e Kosovës në të ardhmen. Mos të harrojmë se duhet gjithsesi që të gjejmë mekanizma, ta gjejnë një rrugë të qasjes më pozitive, për hir të ekonomisë, për hir të konsumatorit dhe natyrisht për hirë të rreziqeve që po vijnë nga jashtë Kosovës”, ka shtuar Bajra.

Përderisa situata politike vazhdon të mbetet e pasigurt, thirrjet nga ekspertët dhe bizneset për stabilitet institucional janë gjithnjë e më të zëshme, në mënyrë që të shmangen pasojat afatgjate për ekonominë e vendit.

Përveç kësaj, mungesa e formimit të institucioneve të reja, rrezikon që vendi të mbetet edhe pa buxhet për vitin e ardhshëm.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, por ende nuk është bërë formimi i institucioneve të reja.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.

Më 30 shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar.

Kushtetuesja vendosi që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Sipas këtij vendimi të Gjykatës, seanca konstituive e Kuvendit duhet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi.