Arbëri

PDK: Kurti të hetohet nga Prokuroria për propagandë me dronët

Partia Demokratike ka kërkuar hetim institucional për pretendimet mbi dronët dhe transparencë të plotë për fabrikën e municionit, pas hulumtimit të publikuar në KOHË për dy kompani nga Gjilani që pretendojnë se prodhojnë dronë luftarakë. Kandidatja për deputete e kësaj partie, Besa Kabashi-Ramaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mashtroi publikisht duke promovuar diçka të rreme, derisa theksoi se ky është një problem institucional dhe i sigurisë kombëtare

Për mashtrim të publikut, propagandë dhe politizim të sektorit të sigurisë e ka fajësuar Partia Demokratike kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke iu referuar vizitës që ai u ka bërë më herët dy kompanive nga Gjilani, që e promovuan atë që e quajtën fabrikë të dronëve ushtarakë.

KOHA ka raportuar se dronët janë promovuar fillimisht me video të një kompanie kineze, e më pas edhe me një tjetër të një shpërthimi të bërë me inteligjencë artificiale, teksa në Ministrinë e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se nuk posedojnë informata se janë kryer testime të dronëve ushtarakë.
Lidhur me këtë, anëtarja e kryesisë së PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar nëpërmjet një konferencë shtypi të enjten, që prokuroria të nisë hetime.

“Prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues. Kërkohet infrastrukturë e certifikuar, personel i specializuar inxhinierik, protokolle të sigurisë dhe mbikëqyrje shtetërore, licenca e autorizime të qarta ligjore, testime të shumta teknike dhe operative... Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz në deklarimet e rreme në një sektor jetik për shtetin tonë – atë të mbrojtjes”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Ajo ka shtuar që me prerjen e shiritit në vendin ku pretendohet se prodhohen dronë ushtarakë u tentua të paraqitej sikur Kosova ka industri ushtarake, në mënyrë që Kurti ta fitojë pëlqimin e qytetarëve në prag të zgjedhjeve.  

“Njëri problem është qysh e ka përkrahur një iniciativë pa e verifikuar vërtetësinë e iniciativës nëse dronët ushtarakë janë me të vërtetë funksionalë dhe operativë qysh ai ka pretenduar dhe ka thënë edhe në qëndrimet e tij të publikuara në Facebook, pastaj në video duke e prerë shiritin e kështu me radhë dhe problemi tjetër ende më i madh është qysh ka propaganduar me një rast të tillë për t’i mashtruar qytetarët që të mendojnë se sektori i industrisë së mbrojtjes në Kosovë është shumë më i zhvilluar sesa që është”,  ka thënë ajo.

Kabashi-Ramaj ka thënë se siguria nuk është çështje për video promovuese e as montazh dhe shfaqje për kamerat dhe se testimet duhet të jenë të verifikueshme dhe të bazuara në ligje e procedura. 
Lidhur me çështjen ka reaguar të enjten edhe pronari i kompanisë “Future Minds Academy”, që ka pretenduar se Kosova mund të godasë me dronë ushtarakë mbi 1000 kilometra larg – një distancë kjo sa nga Prishtina për në Krime. Në një postim në Facebook ai ka shkruar se “Propagandat mediatike kanë prapavijë politike” dhe se kushdo që do t’i shohë dronët mund ta bëjë këtë në vendndodhjen e kompanisë në Gjilan, por që fillimisht duhet të kalojë në verifikimet e sigurisë të kompanisë.

KOHA ka raportuar ekskluzivisht se si videoja e parë me të cilën është promovuar droni “Skifteri K1” i takon kompanisë kineze “Hinaray” dhe ka treguar po ashtu se si videoja në të cilën ndodh shpërthimi pikërisht kur ‘godet’ droni, është e bërë me inteligjencë artificiale.