Arbëri

Porosia speciale

Protesta - Gjykata Speciale

Foto: Driton Paçarada

Motoja “kundër padrejtësisë” është kthyer të enjten në porosi për Specialen nga mijëra protestues që mbushën sheshet e Prishtinës. Ata shprehën revoltë ndaj gjykatës me Seli në Hagë, për të cilën thanë se ka devijuar nga misioni. Përfaqësues të veteranëve të UÇK-së theksuan se Specialja do që ta deformojë historinë. Në protestë u lansua kërkesa që Këshilli i Evropës ta rishikojë rezolutën e cila përligji raportin me akuzën për trafikim organesh të pengjeve nga UÇK-ja, e pas publikimit të të cilit u shtua presioni te Kosova për ta formuar gjykatën

Sheshet e Prishtinës kanë përjetuar rëndesën e masën prej më të mëdhave të qytetarëve, që ndonjëherë janë mbledhur për të protestuar. Nga to, motoja “kundër padrejtësisë” është kthyer në porosi për Gjykatën Speciale me seli në Hagë, e cila trajton krimet e luftës që pretendohet të jenë kryer nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Protesta, me të cilën u shpreh revoltë në Specialen, u thirr nga organizatat e dala nga lufta.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së lëshoi një mesazh falënderimi, menjëherë pas protestës, gjatë së cilës nuk u shënua ndonjë incident.

“Jemi pa fjalë. Sot folët ju, qytetarë të zakonshëm me zemër të jashtëzakonshme. Faleminderit për madhështinë tuaj”, thuhet në këtë mesazh. “Kur populli ngrihet, padrejtësia nuk kalon dot”.

Procesi më i madh gjyqësor është ai ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Ndërkaq, deri tash, në dy procese gjyqësore ka shpallur dënime për krime lufte. Me burgim janë dënuar Salih Mustafa e Pjetër Shalës.

Protesta kundër Gjykatës Speciale - Foto: Driton Paçarada

Krahas tyre, Specialja ka dënuar edhe Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, për pengim të të drejtësisë, meqë ua ofruan mediave dosje të Speciales që thanë se një person e solli në zyrtar e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë. Atyre iu shqiptuan nga katër vjet e gjysmë burgim, dënim të cilin e kanë kryer.

Në protestën e organizuar në Prishtinë, fjalimin qendror e ka mbajtur Gucati, i cili edhe kur u dënua ishte kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së e është rizgjedhur edhe pasi ka kryer dënimin.

Ai tha se, me pjesëmarrjen, të gjithë veteranët janë bërë krenarë dhe se kjo masë përbën mesazhin më të fuqishëm për Specialen.

“Jemi bashkuar këtu, në këtë numër kaq të madh, kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale. Kjo gjykatë, ne e dimë, që është një gjykatë e njëanshme, një gjykatë anti-UÇK, një gjykatë ani-shtetit të Kosovës”, ka thënë ai. “Jemi bashkuar edhe sot sepse po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës sonë, po rrezikohet pavarësia jonë”.

Gucati lansoi edhe një mori akuzash për gjykatën me seli në Hagë, që formalisht është e Kosovës, por përbëhet vetëm nga ndërkombëtarët.

“Gjykata Speciale e ka devijuar misionin e saj. Gjykata Speciale po e deformon historinë tonë. Nën petkun e drejtësisë, të cilin e ka përdhosur kjo gjykatë, po bën padrejtësi ndaj atyre që u ngritën për liri, dinjitet dhe ekzistencë njerëzore”, ka thënë ai.

Protesta kundër Gjykatës Speciale - Foto: Driton Paçarada

Gjykata Speciale ka në mandat të trajtojë pretendimet e shprehura në raportin e senatorit Dick Marty, të miratuar nga Këshilli i Evropës, e në të cilin dokument pretendohet që gjatë dhe menjëherë pas luftës të jenë kryer krime nga pjesëtarë të UÇK-së. Akuza që bëri më së shumti bujë, e pas së cilës është shtuar presioni ndërkombëtar për ta formuar gjykatën, është ajo për trafikim organesh të pengjeve. Por, në asnjë aktakuzë, ajo nuk është përfshirë.

Pas presionit ndërkombëtar, Kuvendi i Kosovës miratoi amendamente kushtetuese, e po ashtu edhe një ligj të veçantë, për ta themeluar gjykatën.

“Shteti i Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës janë tradhtuar. Besimi jonë është tradhtuar, prandaj edhe ne nuk kemi besim më në këtë gjykatë”, ka thënë Gucati.

Ai akuzoi për anshmëri Specialen.

“Kjo gjykatë, me veprat e saj të njëanshme dhe me përzgjedhjet selektive të individëve, vetëm nga njëra palë, pra vetëm nga pala shqiptare, po përpiqet ta përmbysë historinë në favor të Serbisë. Ajo po tenton të krijojë narrativën e rreme sikur Kosova ishte çliruar nga kriminelët, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër. UÇK-ja bashkë me NATO-n, në krye me Amerikën, e kanë çliruar Kosovën nga kriminelët e Beogradit, nga makineria shtetërore e dhunës e terrorit”, ka thënë ai.

Protesta kundër Gjykatës Speciale - Foto: Driton Paçarada

Për krimet e kryera në luftërat e fundit, në Hagë ishte ngritur Tribunali Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë. Në të nuk janë selektuar krimet e as të dyshuarit. Eksponentë të UÇK-së, si ish-komandantët e zonave, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, kanë kaluar në procese gjyqësore në këtë gjykatë dhe janë shpallur të pafajshëm. Ky institucion gjyqësor ka liruar nga përgjegjësia të dy edhe për krime që është pretenduar në zonat ku kanë komanduar, nën arsyetimin se hierarkia nuk ka funksionuar në terren.

Nevenka Tromp ka qenë hetuese e Tribunalit për Ish-Jugosllavinë.

Ajo mori pjesë në protestën e organizuar në Prishtinë dhe iu drejtua masës me kritika ndaj Speciales.

“Në 2020 udhëheqësit e tuaj të kohës së luftës shkuan vullnetarisht në Hagë duke besuar ashtu siç ju se drejtësia do të zbatohej shpejt dhe në mënyrë të drejtë. Ata u siguruan se ky proces do të ishte transparent dhe i paanshëm dhe megjithatë ja ku jemi pesë vite më vonë – ata ende janë në paraburgim dhe nuk ka ende një vendim gjyqësor në horizont”, tha Tromp. “Besimi i tyre në një drejtësi të shpejt është thyer nga realiteti i vonesave, dënimeve të ashpra dhe shkallës disproporcionale të shpalljeve fajtorë”.

Pas procesit e negociatave me ndërkombëtarët për Gjykatën Speciale, vendimet me peshë u morën nga Grupi Politik, që përbëhej nga kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, kryeparlamentari i asaj legjislature, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, që atëkohë ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Më pas, dokumentet e përgatitura shkuan për miratim në Qeveri e më pas në Kuvend.

Protesta kundër Gjykatës Speciale - Foto: Driton Paçarada

Ish-hetuesja Tromp dha një mesazh për këtë rol të tyre në vendimmarrje.

“Ata e bënë këtë duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun që përfaqësonte për çdo luftëtar që u ngrit në mbrojtje të lirisë së Kosovës gjatë luftës ‘98-99. Pse? Sepse ata besonin në drejtësinë e kauzës së tyre, sepse besonin që lufta që ata bënë ishte e drejtë”, tha Tromp. “Besonin se ishte një luftë e lejuar si e tillë nga Karta e Kombeve të Bashkuara. Ata luftuan dhe fituan”.

Kritikat ndaj Speciales janë shtuar prej se gjyqtarë të saj kanë justifikuar edhe pyetje duke u mbështetur në spekulime e edhe bënë pyetje orientuese për gjyqtarët. Deri tash, gjykata nuk ka aplikuar ndonjë sanksion ndaj gjyqtarëve.

Ndërkaq, këtë muaj, edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjykata nuk ka më legjitimitet kushtetues, meqë ka pranuar si prova materiale që janë dorëzuar nga institucione të Serbisë, përfshirë nga e ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”. Ajo ka theksuar se pranimi i materialeve nga struktura të regjimit serb si burime të besueshme, përbën deformim të rëndë të drejtësisë dhe fyerje për viktimat e luftës në Kosovë.

Nëpërmjet porosive në pankarta, në protestë u dha mesazhi “kundër padrejtësisë”. Qytetarët mbajtën në duar fotografi të të akuzuarve e edhe flamuj kombëtarë, ata të Kosovës e edhe të Shteteve të Bashkuara. Por, dominuan flamujt me simbolin e UÇK-së.

Në protestë morën pjesë edhe fëmijë dëshmorësh.

Një nga ta është Arbër Cacaj, djalë i dëshmorit Nagip Cacaj. Edhe ai iu drejtua masës dhe theksin e vuri tek krimet serbe që nuk janë ndëshkuar.

“Unë që dikur isha fëmijë i luftës, jam rritur sot ndërsa 1432 fëmijë të tjerë nuk patën fatin tim që të rriten të lirë. Ata nuk arritën dot ta gëzojnë këtë liri. Ata mbetën përgjithmonë fëmijë të vrarë e të masakruar nga kriminelët serbë”, tha Cacaj. “Shumë prej atyre kriminelëve sot janë në Hagë duke dëshmuar kundër çlirimtareve tonë”. 

Protesta kundër Gjykatës Speciale - Foto: Driton Paçarada

Dha edhe një mesazh për Specialen.

“UÇK nuk është dorëzuar para Serbisë. UÇK-ja nuk do të dorëzohet as para Gjykatës Speciale”, tha ai.

Protestës, mes tjerëve, iu bashkuan edhe kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, një numër deputetësh e personalitetesh të tjera.

Për ta kundërshtuar gjykatën me seli në Hagë, bënë qindra kilometra edhe shqiptarë që jetojnë në vende të rajonit.

Në mesin e tyre ishte edhe Ali Ahmeti, një prej themeluesve të UÇK-së dhe i cili e drejton partinë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut – Bashkimin Demokratik për Integrim.

Para masës, ai tha se shqiptarët historikisht kanë qenë të bashkuar si një trup i vetëm kur u është rrezikuar dinjiteti.

“Prandaj, sot si një trup jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale”, theksoi Ahmeti. “Kemi dalë sot për të kërkuar të drejtën tonë. UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë. Luftë për liri. Luftë për çlirim nga pushtimi që nga viti 1994 kur filloi të komunikojë qëllimet e saj, ajo ka qenë e qartë për qëllimin e saj çlirimtar”. 

Ahmeti, i cili ka qenë një nga eksponentët kryesorë në luftë, tha se UÇK-ja u është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare të luftës, përfshirë Konventën e Gjenevës të vitit 1949, dhe se asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, nuk ka vrarë civilë e as gra, fëmijë apo pleq. 

“Ajo ka qenë e qartë në deklarimet e saj dhe në mënyrë të përsëritur se lufta e saj ishte vetëm e vetëm çlirimi. Ka sqaruar se lufta e saj nuk është luftë kundër asnjë populli, kundër asnjë etnike, nuk është luftë fetare e nuk është luftë terroriste. Kjo luftë e çoi Kosovën drejt fitores së lirisë dhe pavarësisë dhe ndikoi në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon”, tha Ahmeti. “Serbia me përkrahësit e saj ka bërë dhe po bën gjithçka për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës përmes Gjykatës Speciale të Hagës. Ajo po përpiqet të përmbysë çdo të arritur në Kosovë. Gjykata u formua si u formua, u votua si u votua nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, u bë si u bë, ishte si ishte, por edhe ashtu siç u krijua, ajo nuk po e respekton të drejtën për një gjykim të paanshëm dhe brenda një afati të arsyeshëm”. 

Protesta kundër Gjykatës Speciale - Foto: Driton Paçarada

Ahmeti listoi kërkesa edhe për përfaqësues të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që janë anëtare te Këshillit të Evropës, institucion në të cilin u miratua raporti i senatorit Dick Marty, mbi bazën e të cilit u iniciua themelimi i gjykatës.

“Kërkojmë që përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut që janë në Këshillin e Evropës të kërkojnë rishikimin e rezolutës së Këshillit të Evropës të vitit 2011 sepse deri më tash është vërtetuar nga shumë drejtime se kurrë nuk ka ndodhur trafikim i organeve njerëzore nga UÇK-ja, mbi të cilën të pavërtetë është krijuar me të padrejtë formimi i Gjykatës Speciale”, ka thënë Ahmeti. “Populli shqiptar nuk pranon që historia e tij të shkruhet nga të huajt, me gjithë respektin për ta, aq më pak nga një gjykatë që nuk është kompetente për këtë e i ka humbur integriteti”.

Speciales i kontestohet besueshmëria dhe legjitimiteti kushtetues, pak muaj para se të vendosë në procesin kryesor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, e i cili ka nisur prej rreth pesë vjetësh. Ajo është kritikuar edhe për faktin që gjatë gjithë kësaj kohe Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin i ka mbajtur nën masën e paraburgimit, ndonëse në kohën kur është ngritur aktakuza kanë mbajtur funksione të larta shtetërore dhe vullnetarisht janë ofruar para gjykatës.